Australia akuzon Iranin për dy sulme të vitit të shkuar
BKT
Rajoni dhe Bota

Australia akuzon Iranin për dy sulme të vitit të shkuar

Australia ka urdhëruar dëbimin e ambasadorit të Iranit, Ahmad Sadeghi, dhe tre zyrtarëve të tjerë iranianë, pas dyshimeve serioze për përfshirjen e drejtpërdrejtë të qeverisë iraniane në sulme antisemitike që ndodhën në qytetet Sydney dhe Melbourne vitin e kaluar.

Kryeministri australian Anthony Albanese i cilësoi incidentet si “akte të jashtëzakonshme dhe të rrezikshme të agresionit, të orkestruara nga një shtet i huaj”. Edhe pse në këto sulme nuk pati të lënduar, autoritetet australiane i kanë trajtuar ato si një kërcënim serioz ndaj sigurisë kombëtare.

Shefi i Agjencisë Australiane të Sigurisë dhe Inteligjencës (ASIO), Mike Burgess, konfirmoi se provat e mbledhura tregojnë me gjasë të lartë se Irani ishte pas sulmeve, të cilat kishin në shënjestër komunitetin hebre në Australi.

Si pasojë, diplomatëve iranianë u është dhënë afati prej shtatë ditësh për të lënë vendin. Kjo është hera e parë që Australia dëbon një ambasador që nga Lufta e Dytë Botërore – një hap i rrallë dhe me peshë të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Në vazhdim të masave të ashpra, Kryeministri Albanese njoftoi gjithashtu se qeveria australiane do ta shpallë Gardën Revolucionare Iraniane si një organizatë terroriste, duke e përfshirë atë në listën zyrtare të entiteteve të ndaluara në vend.

Irani deri tani nuk ka dhënë ndonjë reagim zyrtar lidhur me akuzat dhe vendimin e Australisë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota