Sulmi rus në Kiev, 10 të vrarë dhe 48 të plagosur
BKT
Rajoni dhe Bota

Sulmi rus në Kiev, 10 të vrarë dhe 48 të plagosur

M.M./ RTKlive

Nga sulmi masiv rus me dronë dhe raketa në kryeqytetin e Ukrainës, herët të enjten, u vranë, të paktën, 10 persona dhe plagosi 48 të tjerë, thanë autoritetet lokale.

Ishte sulmi i parë i madh rus ndaj Kievit pas disa javësh, ndërsa përpjekjet e udhëhequra nga SHBA për paqe për t’i dhënë fund luftës trevjeçare po hasin vështirësi.

Ndër të vrarët ishin dy fëmijë, tha ministri i Brendshëm ukrainas, Ihor Klymenko, duke cituar informacion paraprak. Shifrat pritet të rriten. Ekipet e shpëtimit ishin në vendngjarje për të nxjerrë njerëzit e mbetur nën rrënoja.

“Rusia zgjedh raketat balistike në vend të tryezës së negociatave,” tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy në një postim në X pas sulmit. “Ne presim përgjigje nga të gjithë ata në botë që kanë bërë thirrje për paqe, por tani gjithnjë e më shpesh qëndrojnë të heshtur në vend se të marrin qëndrime parimore”, raporton AP.

Rusia lëshoi dronë mashtrues, raketa lundrimi dhe raketa balistike, tha Tymur Tkachenko, kreu i administratës së qytetit të Kievit. Të paktën shtatë rajone të Kievit u goditën. Pothuajse 100 ndërtesa u dëmtuan, përfshirë një qendër tregtare në qendër të qytetit, dhe mijëra dritare u thyen, tha ai.

Sulmet ruse goditën pjesën qendrore të Kievit, një nga rastet e rralla kur sulmet ruse kanë arritur zemrën e kryeqytetit ukrainas që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota