Britania, Franca dhe Gjermania rikthejnë sanksionet ndaj Iranit
M.M./ RTKlive
Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar ndërmorën të enjten hapa për të rivendosur sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit për programin e tij bërthamor, duke e izoluar më tej Teheranin pas bombardimeve të përsëritura të objekteve të tij atomike gjatë një lufte 12-ditore me Izraelin.
Ky proces i rikthimit automatik i sanksioneve, i quajtur “snapback”, nga diplomatët që e negociuan në marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015 me fuqitë botërore, u krijua që të ishte i paprekshëm nga vetoja në OKB dhe mund të hyjë në fuqi brenda një muaji. Ai do të ngrinte sërish asetet iraniane jashtë vendit, do të ndalonte marrëveshjet e armëve me Teheranin dhe do të penalizonte çdo zhvillim të programit të raketave balistike të Iranit, mes masave të tjera, duke e shtrënguar më tej ekonominë tashmë të goditur të vendit, raporton AP.
Ky hap nis një afat 30-ditor për rikthimin e sanksioneve, periudhë gjatë së cilës pritet të intensifikohet diplomacia nga ana e Iranit, refuzimi i të cilit për të bashkëpunuar me inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) shkaktoi krizën. Irani gjithashtu ka gjasa të bëhet një nga temat kryesore të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së kur ajo të mblidhet muajin e ardhshëm në Nju Jork.
Ministrat e Jashtëm britanik, francez dhe gjerman sugjeruan se e shohin “snapback”-un si një mënyrë për të nxitur negociatat me Teheranin.
“Kjo masë nuk nënkupton fundin e diplomacisë: ne jemi të vendosur të shfrytëzojmë maksimalisht periudhën 30-ditore që sapo është hapur për të hyrë në dialog me Iranin,” shkroi ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, në platformën sociale X.
Por Irani reagoi menjëherë duke e dënuar këtë veprim, teksa ministri i Jashtëm iranian e cilësoi si këtë si “të pajustifikuar” dhe “pa asnjë bazë ligjore” gjatë një telefonate me homologët e tij evropianë.
“Republika Islamike e Iranit do t’i përgjigjet siç duhet këtij veprimi të paligjshëm dhe të panevojshëm,” tha ai. Disa orë më vonë, Ministria e Jashtme iraniane deklaroi se veprimi i vendeve evropiane do të “minojë rëndë” bashkëpunimin e vazhdueshëm të tij me agjencinë bërthamore të OKB-së.























