Samiti bashkon Kinën dhe Indinë
Hanife Osmani /RTK
Në Tianjin, ku po mbahet Samiti i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, presidenti kinez Xi Jinping dhe kryeministri indian Narendra Modi, shpallin një afrim historik mes tyre pas tensioneve kufitare disavjeçare. Takimi vjen në sfondin e krizave tregtare me SHBA-në dhe afrimin ruso-kinez.
Në portin verior të Tianjin-it, ku po zhvillohet Samiti i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, ka pasur një takim të rëndësishëm mes presidentit kinez Xi Jinping dhe kryeministrit indian Narendra Modi.
Dy liderët, pas vitesh tensione dhe mosmarrëveshjesh kufitare, u shprehën se mes Kinës dhe Indisë tashmë ka një atmosferë të re besimi. Presidenti Xi deklaroi se të dy vendet duhet të jenë “partnerë e jo rivalë”, ndërsa Modi theksoi se “po krijohet një atmosferë paqeje dhe stabiliteti”.
Kjo ishte vizita e parë e Modit në Kinë pas shtatë vitesh, dhe në shenjë afrimi ai shpalli rikthimin e fluturimeve mes dy vendeve, të pezulluara që nga përplasjet e përgjakshme në kufirin Himalajas në vitin 2020.
Samiti, ku marrin pjesë mbi 20 liderë botërorë, është i shoqëruar nga një spektakël masiv në Tianjin, i cili ka mobilizuar qindra mijëra qytetarë dhe ka sjellë masa të rrepta sigurie në qytet.
Ndërkohë, pranë këtij afrimi mes Pekinit dhe Nju Delhit, marrëdhëniet e Indisë me Shtetet e Bashkuara po përkeqësohen, për shkak të tarifave të vendosura nga presidenti Trump si ndëshkim për blerjen e naftës ruse nga Delhi.
Në samit merr pjesë edhe presidenti rus Vladimir Putin, i cili vazhdon të përballet me kërcënime sanksionesh për luftën në Ukrainë. SCO, e krijuar që prej vitit 2001 si kundërpeshë ndaj NATO-s, këtë vit po zhvillon takimin më të madh që nga themelimi.























