Numri i të vdekurve nga tërmeti në Afganistan tejkalon 2 mijë e 200
BKT
Rajoni dhe Bota

Numri i të vdekurve nga tërmeti në Afganistan tejkalon 2 mijë e 200

Sh.Ç|RTKlive

Një tërmet shkatërrues që goditi Afganistanin të dielën dhe të martën ka lënë të paktën 2,204 persona të vdekur dhe më shumë se 3,640 të plagosur, sipas të dhënave të fundit nga administrata talebane.

Sipas autoriteteve, rreth 6,700 shtëpi janë shkatërruar, ndërsa në disa zona të prekura deri në 98 për qind e banesave janë rrënuar plotësisht, raporton agjencia Reuters. Ekipet e shpëtimit vijojnë të nxjerrin trupa nga rrënojat, ndërkohë që operacionet e kërkimit po vazhdojnë në zonat malore dhe të izoluara.

Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet më tej, pasi shumë njerëz mendohet se janë ende të bllokuar nën rrënoja.

"Nevojat humanitare janë të jashtëzakonshme dhe po rriten me shpejtësi. Deri në 84,000 persona janë prekur drejtpërdrejt ose tërthorazi nga tërmetet, dhe mijëra janë zhvendosur", tha Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

Tërmeti i parë, me një magnitudë prej 6.0 ballë të shkallës Rihter, goditi të dielën me një thellësi të cekët prej 10 kilometrash, duke shkaktuar dëme të mëdha në provincat Kunar dhe Nangarhar. Ky është një ndër tërmetet më vdekjeprurës që ka goditur vendin në vitet e fundit.

Një tërmet i dytë, me magnitudë 5.5 ballë, goditi të martën, duke shkaktuar panik dhe duke ndërprerë përkohësisht përpjekjet e shpëtimit. Shkëmbinjtë që rrëshqitën nga malet bllokuan rrugët drejt fshatrave të izoluara, duke e vështirësuar aksesin për ndihmat humanitare.

Afganistani mbetet i rrezikuar nga tërmetet vdekjeprurëse për shkak të vendndodhjes së tij në vargmalin Hindu Kush, ku takohen pllakat tektonike indiane dhe euroaziatike.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota