Macron: 26 vende zotohen t`i ofrojnë Ukrainës garanci sigurie pas luftës
Dardan Ramabaja / RTK
Njëzet e gjashtë vende janë zotuar t`i ofrojnë Ukrainës garanci sigurie pas luftës, ku përfshihet një forcë ndërkombëtare në tokë, det dhe ajër, ka deklaruar të enjten Presidenti francez Emmanuel Macron pas një takimi të nivelit të lartë të aleatëve të Kievit.
Macron tha se ai, udhëheqësit e tjerë evropianë dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy zhvilluan një telefonatë me Presidentin amerikan Donald Trump pas takimit, dhe se kontributet e SHBA-së në këtë garanci do të finalizohen në ditët në vijim.
Takimi i 35 udhëheqësve nga "koalicioni i të vullnetshmëve", kryesisht i vendeve evropiane - kishte për qëllim të finalizonte garancitë e sigurisë dhe t'i kërkonte Trumpit mbështetjen që evropianët e konsiderojnë si jetike për t'i bërë të zbatueshme këto garanci.
Garancitë e sigurisë kanë për qëllim të sigurojnë Ukrainën dhe të pengojnë Rusinë ta përsërisë sulmin e vitit 2022 ndaj fqinjit të saj.
"Ditën që konflikti të ndalet, garancitë e sigurisë do të vendosen", ka thënë Macron në një konferencë për media në Pallatin Elysee të Parisit, duke qëndruar pranë Zelenskiyt.
Zyrtarët evropianë thonë se paqja duket një perspektivë e largët për momentin, por ata duan të jenë gati kurdo që lufta përfundon.
Fillimisht, Macron tha se 26 vende të cilat nuk i përmendi me emër do të dislokoheshin në Ukrainë. Por më vonë tha se disa vende do të ofronin garanci, ndërkohë që do të qëndronin jashtë Ukrainës, për shembull duke ndihmuar në trajnimin dhe pajisjen e forcave ushtarake, por pa treguar se sa trupa do të përfshiheshin në garanci.























