Prerje kabllosh nënujore në Detin e Kuq pengon internetin në Azi
M.M./ RTKlive
Prerja e kabllove nënujore në Detin e Kuq pengoi qasjen në internet në disa pjesë të Azisë dhe Lindjes së Mesme, thanë ekspertët të dielën, megjithëse nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë e shkaktoi incidentin.
Ka pasur shqetësime se kabllot mund të jenë shënjestruar në një fushatë në Detin e Kuq nga rebelët Houthi të Jemenit, të cilët e përshkruajnë këtë si përpjekje për të ushtruar presion ndaj Izraelit që të ndalë luftën kundër Hamasit në Rripin e Gazës. Por Houthit më herët kanë mohuar se kanë sulmuar linjat.
Kabllot nënujore janë një nga shtyllat kryesore të internetit, përkrah lidhjeve satelitore dhe atyre tokësore. Zakonisht, ofruesit e shërbimeve të internetit kanë pika të shumta qasjeje dhe ridrejtojnë trafikun nëse njëra dështon, megjithatë kjo mund të ngadalësojë shpejtësinë për përdoruesit.
Disa kabllo të prera pranë Arabisë Saudite
Microsoft njoftoi përmes faqes së statusit se Lindja e Mesme “mund të përjetojë vonesa të rritura për shkak të prerjes së fibrave nënujore në Detin e Kuq”. Kompania me seli në Redmond, Washington, nuk dha menjëherë hollësi, por tha se trafiku i internetit që nuk kalon përmes Lindjes së Mesme “nuk është prekur”.
NetBlocks, që monitoron qasjen në internet, tha se “një seri ndërprerjesh të kabllove nënujore në Detin e Kuq ka degraduar lidhjen e internetit në disa vende”, përfshirë Indinë dhe Pakistanin. Organizata vlerësoi si “dështime që prekin sistemet e kabllove SMW4 dhe IMEWE pranë Xhedahut, Arabia Saudite.”
Kablloja South East Asia–Middle East–Western Europe 4 menaxhohet nga Tata Communications, pjesë e konglomeratit indian. Kablloja India-Middle East-Western Europe menaxhohet nga një tjetër konsorcium nën mbikëqyrjen e Alcatel Submarine Networks. Asnjëra kompani nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Pakistan Telecommunications Co. Ltd., një gjigant i telekomunikimit në atë vend, e konfirmoi në një deklaratë të shtunën se kishte ndodhur prerja e kabllove.
Arabia Saudite nuk e pranoi pengesën dhe autoritetet atje nuk iu përgjigjën kërkesës për koment.
Në Kuvajt, autoritetet gjithashtu thanë se kablloja FALCON GCX që kalon përmes Detit të Kuq ishte prerë, duke shkaktuar pengesa në atë vend të vogël dhe të pasur me naftë. GCX nuk iu përgjigj një kërkese për koment.























