Protestuesit në Nepal i vënë flakën shtëpive të liderëve
M.M./ RTKlive
Protestuesit i vunë zjarrin shtëpive të disa prej liderëve kryesorë politikë të Nepalit, në shenjë kundërshtimi ndaj ndalimit të rrjeteve sociale, i cili u hoq të martën herët, një ditë pas protestave të dhunshme kundër qeverisë, ku pati viktima.
Raportime lokale dhe video të shpërndara në rrjetet sociale treguan protestues, duke sulmuar rezidencat e udhëheqësve kryesorë politikë në dhe rreth Katmandusë. Një orë policore u vendos në kryeqytet dhe qytete të tjera, ndërsa shkollat në Katmandu u mbyllën.
Shtëpitë që u dogjën përfshinin ato të Sher Bahadur Deubës, lider i partisë më të madhe Nepali Congress, të presidentit Ram Chandra Poudel, ministrit të Brendshëm, Ramesh Lekhak, dhe liderit të Partisë Komuniste të Nepalit Maoiste, Pushpa Kamal Dahal. Një shkollë private në pronësi të bashkëshortes së Deubës, Arzu Deuba Rana, e cila është edhe ministre e Jashtme aktuale, u dogj gjithashtu, raporton AP.
Protesta masive dhe sulmi ndaj Parlamentit të hënën nisën si kundërshtim ndaj ndalimit të platformave sociale, por u ndezën edhe më shumë nga pakënaqësia në rritje ndaj partive politike, të cilat populli i fajëson për korrupsion.























