Ushtria izraelite bën thirrje për evakuim të plotë nga Gaza
M.M./ RTKlive
Ushtria izraelite bëri thirrje të martën në mëngjes për evakuimin e plotë nga Gaza, përpara fillimit të operacionit të saj të zgjeruar ushtarak në pjesën veriore të Gazës.
Ky ishte paralajmërimi i parë për evakuim të plotë të qytetit në raundin aktual të luftimeve.
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, tha të martën se Izraeli ka shkatërruar 30 ndërtesa shumëkatëshe në Gaza, për të cilat akuzon Hamasin se i ka përdorur për infrastrukturë ushtarake.
Kryeministri Benjamin Netanyahu tha të hënën se Izraeli ka shkatërruar të paktën 50 “kulla terrori”, që, sipas tij, përdoren nga Hamasi. Nuk është e qartë nëse kullat që përmendi Katz janë shtesë atyre që përmendi Netanyahu, i cili e quajti shkatërrimin e këtyre ndërtesave “vetëm hyrja, vetëm fillimi i operacionit kryesor intensiv, inkursionit tokësor të forcave tona", raporton AP
Ditët e fundit, Izraeli ka shkatërruar disa ndërtesa të larta në Gaza, duke paralajmëruar se Hamasi ka instaluar aty pajisje survejimi.
Shkatërrimet janë pjesë e ofensivës së Izraelit për të marrë kontrollin mbi atë që e përshkruan si bastioni e fundit të Hamasit, duke i bërë thirrje palestinezëve të largohen nga pjesa veriore e Gazës drejt një zone të përcaktuar humanitare në jug të territorit.
Në zonën e Gazës jetojnë rreth 1 milion palestinezë, megjithëse para këtij paralajmërimi vetëm një pjesë e vogël kishte evakuuar.
Zëdhënësi ushtarak, koloneli Avichay Adraee, paralajmëroi javën e kaluar se evakuimi i Gazës ishte i pashmangshëm, duke thënë se familjet që do të lëviznin drejt jugut do të merrnin ndihmë humanitare. Por grupet e ndihmës paralajmëruan se kishte shumë pak infrastrukturë për t’i mbështetur ata.























