Dronët rusë mbi Poloni alarmojnë NATO-n
BKT
Rajoni dhe Bota

Dronët rusë mbi Poloni alarmojnë NATO-n

M.M./ RTKlive

Udhëheqësit evropianë të enjten shprehën shqetësim për rritjen e armiqësisë ruse që kërcënon vendet e tyre, ndërsa forcat e Moskës vazhdojnë pushtimin e Ukrainës, shqetësime që u thelluan nga ngjarjet e një dite më parë, kur disa dronë rusë goditën tokën polake.

Ky inkursion në Poloni, i cili ndodhi gjatë sulmeve të pandërprera ruse ndaj Ukrainës fqinje, e thelloi frikën e kahershme se lufta trevjeçare mes dy vendeve fqinje të Polonisë mund të çojë në një konflikt më të gjerë. Përpjekjet e udhëhequra nga SHBA për ta drejtuar Moskën dhe Kievin drejt një marrëveshjeje paqeje deri tani kanë dështuar të japin rezultat.

Zyrtarë evropianë e përshkruan inkursionin si një provokim të qëllimshëm, duke e detyruar aleancën e NATO-s të përballet për herë të parë me një kërcënim potencial në hapësirën e saj ajrore dhe ta shqyrtojë reagimin dhe aftësitë e saj ushtarake, raporton AP.

Disa në Evropë e quajnë inkursionin provokim të qëllimshëm

Kryeministri britanik, Keir Starmer, bisedoi të enjten për inkursionin me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Friedrich Merz.

Zyra e Starmer-it tha se “ishte e qartë se Rusia po vazhdonte ta rrisë agresionin e saj, duke intensifikuar sistematikisht sulmet përmes një fushate veprimesh gjithnjë e më kërcënuese.” Qeveria gjermane tha se do të “zgjasë dhe zgjerojë patrullimin ajror mbi Poloni.”

Komandanti suprem i NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, tha të enjten se aleanca nuk ishte e sigurt për numrin e dronëve që hynë në territorin polak, as nëse ata u lëshuan me qëllim.

“Por ne do të nxjerrim mësime. Do të mësojmë çfarë duhet të forcojmë në qëndrimin tonë, për t’u përballur me këto inkursione të kufizuara,” tha Grynkewich në Vilnius të Lituanisë.

Ministrat e Jashtëm të Ukrainës, Polonisë dhe Lituanisë publikuan një deklaratë të përbashkët duke e quajtur inkursionin “një sulm të qëllimshëm dhe të koordinuar që përbën një provokim dhe përshkallëzim tensioni të paprecedentë.”

Presidenti finlandez, Alexsander Stubb, i cili u takua të enjten me presidentin Volodymyr Zelenskyy në kryeqytetin ukrainas Kiev, tha se tani “vija mes luftës dhe paqes është turbulluar” dhe se ngjarjet e së mërkurës ishin një tjetër pikë kthese pas aneksimit të paligjshëm të gadishullit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.

“Tani jetojmë në një epokë pasigurie,” tha Stubb në një konferencë shtypi me Zelenskyy.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota