Nis me tensione seanca e parë e legjislaturës së re në Shqipëri
BKT
Foto: RTSH
Rajoni dhe Bota

Nis me tensione seanca e parë e legjislaturës së re në Shqipëri

RTSH

Kuvendi i Shqipërisë nisi sot zyrtarisht Legjislaturën e XI. Seanca u shoqërua me tensione pasi opozita bllokoi disa herë foltoren dhe refuzoi të propozojë 3 emrat për Komisionin e Përkohshëm të Verifikimit të Mandateve. Kjo bëri që mazhoranca të miratojë me votat e saj 6 anëtarët e saj të komisionit, ndërsa pas kësaj procedurë seanca u mbyll për t’u rinisur në orën 17:00, ku pritet të bëhet edhe betimi i 140 deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 11 majit.

Seancën e parë e hapi deputeti socialist Vasil Llajo, si më i vjetri në moshë, pasi këtë rol e refuzuan Sali Berisha dhe Tritan Shehu. Në fjalën e tij, Llajo bëri apel për bashkëpunim mes forcave politike dhe e cilësoi procesin e integrimit europian si “mision kombëtar”.

Tre deputetet më të reja në moshë – Marjana Koçeku, Zeqine Çaushi dhe Klodjana Çapja – u zgjodhën si Sekretare të përkohshme të Kuvendit deri në formimin e Byrosë.

Llajo theksoi se jeta politike ndërtohet mbi energjinë e rinisë dhe maturinë e përvojës, duke nënvizuar se çdo vendim që do të merret në sallën e Kuvendit duhet të vendosë në qendër qytetarin dhe dinjitetin e tij.

“Sipas Kushtetutës, më është besuar detyra e nderuar për të hapur këtë seancë të parë. Ky është një moment solemn, sepse fillon kapitulli i katër viteve të ardhshme, ku do të shkruhet historia e vendit tonë. Jeta politike ndërtohet mbi energjinë e rinisë dhe maturinë e përvojës. Shërbimi ndaj njeriut është rruga më e ndershme që duhet ndjekur edhe në këtë sallë, dhe çdo vendim duhet të ketë në qendër qytetarin dhe dinjitetin e tij”, tha Llajo.

Në seancën e Kuvendit që nis në orën 17:00, pritet që mazhoranca të propozojë Niko Peleshin si kryetar të Kuvendit. Votimi do të jetë i fshehtë, dhe pas shpalljes së rezultatit, ai do të mbajë dhe fjalën e parë.

Opozita bojkotoi pjesëmarrjen e saj në Komisionin e Përkohshëm të Verifikimit të Mandateve, ku kryedemokrati Sali Berisha tha se nuk do të votonte Niko Peleshin si kryetar parlamenti.

“Absolutisht jo. Të votosh Niko Peleshin aty, është dhjetë herë më mirë se të votosh Kapuranin, apo bandën e tij në Korçë. Kategorikisht jo. Më mirë të vinte ai se, ai të paktën është i sinqertë, jeton si bandit. Kurse ky është bandit me post kryetar parlamenti. Në asnjë mënyrë”, tha Berisha.

Në seancën e parë solemne të hapjes së punimeve të Legjislaturës së XI të Kuvendit, ishin të pranishëm edhe ambasadorë të huaj, përfaqësues dhe krerët e besimeve fetare, si dhe figura të tjera të rëndësishme të jetës publike.

Nga zgjedhjet e fundit parlamentare, Partia Socialiste do të përfaqësohet me 83 mandate deputetësh, të cilët për shkak të numrit të lartë janë ulur edhe në anën e “djathtë” të Kuvendit për herë të parë. Partia Demokratike dhe aleatët kanë 50 mandate, 3 mandate ka Partia Socialdemokrate, 2 mandate Partia Mundësia dhe nga një mandat secila, Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota