Trump jep ultimatum për vendet e NATO-s për sanksionet ndaj Rusisë
Sh.Ç|RTKlive
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u ka dërguar një letër udhëheqësve të NATO-s këtë të shtunë, duke i paralajmëruar se SHBA do të vendosë "sanksione të mëdha" ndaj Rusisë vetëm nëse të gjitha vendet e NATO-s bien dakord të bëjnë të njëjtën gjë dhe ndalojnë blerjen e naftës nga Rusia.
Trump theksoi në një postim në rrjetet sociale, se NATO nuk ka qenë plotësisht e angazhuar në përpjekjet për të mposhtur Rusinë dhe se vazhdimi i blerjes së naftës nga disa vende e dobëson pozicionin negociues të aleancës.
“Jam gati të vendos sanksione të mëdha ndaj Rusisë kur të gjitha vendet e NATO-s të kenë rënë dakord dhe të kenë ndaluar blerjen e naftës ruse. Vetëm më thoni kur të jeni gati”, tha Trump.
Ai gjithashtu kërkoi që vendet e NATO-s të vendosin tarifa 50% deri në 100% ndaj Kinës, duke pretenduar se kjo do të ndihmonte për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Besoj se ky veprim, së bashku me sanksionet ndaj Rusisë, do të ndihmojë për t’i dhënë fund kësaj lufte vdekjeprurëse dhe të pakuptimtë”, shtoi ai, raporton CNN.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka ndaluar pjesërisht importin e naftës nga Rusia, por disa vende si Hungaria, Sllovakia dhe Turqia vazhdojnë blerjet. Turqia, që është anëtare e NATO-s, është blerësi i tretë më i madh i naftës ruse pas Kinës dhe Indisë.
Trump ka rritur gjithashtu tarifat për Indinë në 50%, duke e ndëshkuar për blerjet e saj të naftës nga Rusia. Kjo lëvizje ka shkaktuar tensione mes SHBA-së dhe Indisë, e cila e ka quajtur vendimin "të padrejtë".
Gjatë javës së kaluar, Trump u ka kërkuar zyrtarëve evropianë të vendosin tarifa të reja ndaj Kinës dhe Indisë, por BE ka treguar ngurrim, duke qenë se është në fazat përfundimtare të një marrëveshjeje tregtare me Indinë dhe zakonisht nuk mbështet luftërat tregtare.
Sipas disa analistëve, ultimatumi i Trump rrezikon ta zgjasë luftën në Ukrainë, sidomos pasi bisedimet e tij me presidentin rus Vladimir Putin, të mbajtura më 15 gusht në Alaskë, nuk sollën përparim konkret.























