Trump-Xi takohen në Korenë e Jugut, planifikohet vizitë në Kinë
BKT
Rajoni dhe Bota

Trump-Xi takohen në Korenë e Jugut, planifikohet vizitë në Kinë

M.M./ RTKlive

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do të takohet me liderin kinez Xi Jinping në një samit rajonal që do të zhvillohet në fund të tetorit në Korenë e Jugut dhe se do të vizitojë Kinën “në fillim të vitit të ardhshëm”, pas një telefonate mes tyre të premten.

Në një postim në ‘Truth Social’, Trump tha se Xi do të vijë në Shtetet e Bashkuara “në një kohë të përshtatshme” dhe se ata kishin bërë përparim në “miratimin e marrëveshjes së TikTok-ut” për të lejuar aplikacionin popullor të mediave sociale të vazhdojë të funksionojë në SHBA, megjithëse nuk dha hollësi, raporton AP.

Një deklaratë nga qeveria kineze nuk përmendi vizitat dhe as nuk sqaroi se çfarë kishte rënë dakord Xi në lidhje me shitjen e një pakete kontrolluese nga kompania mëmë kineze e TikTok-ut për të shmangur një ndalim në SHBA. Por, sipas deklaratës, Xi i kërkoi Trump-it të shmangte vendosjen e kufizimeve tregtare për të mos përkeqësuar më tej marrëdhëniet tregtare.

Ndërsa telefonata e shumëpritur sugjeronte një marrëdhënie miqësore mes liderëve të dy ekonomive më të mëdha në botë, deklaratat e tyre treguan sfidat e vazhdueshme. Një shenjë themelore bashkëpunimi ishte gatishmëria për t’u takuar ballë për ballë për të ruajtur marrëdhëniet kur dy vendet, me botëkuptime në konflikt, janë kaq të ndërthurura ekonomikisht.

“Telefonata ishte shumë e mirë, do të flasim përsëri me telefon, e vlerësoj miratimin e TikTok-ut dhe të dy mezi presim të takohemi në APEC!” shkroi Trump, duke iu referuar grupit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor me 21 ekonomi të rajonit Paqësor.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota