Sulm me dron nga rebelët Houthi në Izrael, plagosen 22 persona
BKT
Rajoni dhe Bota

Sulm me dron nga rebelët Houthi në Izrael, plagosen 22 persona

M.M./ RTKlive

Një dron i lëshuar nga rebelët Houthi të Jemenit plagosi 22 persona në qytetin jugor të Izraelit, Eilat, të mërkurën. Ky ishte një rast i rrallë që thyen mbrojtjen e sofistikuar raketore të Izraelit, e cila zakonisht ka kufizuar ndjeshëm viktimat nga sulme të tilla.

Houthit deklaruan në një njoftim se kishin lëshuar dy dronë drejt Izraelit. Izraeli ka kryer sulme ajrore hakmarrëse mbi Jemen pas sulmeve të mëparshme, dhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz, në një postim në X, paralajmëroi Houthit se “kushdo që dëmton Izraelin do të dëmtohet shtatëfish”, raporton AP.

Rebelët Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen kanë qëlluar rregullisht me dronë dhe raketa drejt Izraelit, ndërsa kanë sulmuar anije ndërkombëtare, duke deklaruar se e bëjnë këtë në mbështetje të palestinezëve. Shumica dërrmuese e dronëve dhe raketave të lëshuara drejt Izraelit janë rrëzuar ose kanë rënë në zona të hapura pa shkaktuar plagosje.

Ushtria izraelite tha se kishte tentuar ta ndërpriste dronin. Shërbimi i shpëtimit Magen David Adom tha se të plagosurit u dërguan në spital, dy prej tyre me “plagosje të rënda nga copëzat në gjymtyrë.”

Ndryshe, në Rripin e Gazës, të paktën 41 palestinezë u vranë nga zjarri izraelit, sipas spitaleve lokale. I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme shprehu optimizëm për një plan të ri për t’i dhënë fund luftës, pa treguar se çfarë përmban apo nëse Izraeli ose Hamasi e kanë pranuar atë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota