Stuhia tropikale në Tajvan e Filipine shkaktoi vdekjen e 24 personave
BKT
Rajoni dhe Bota

Stuhia tropikale në Tajvan e Filipine shkaktoi vdekjen e 24 personave

M.M./ RTKlive

Ragasa arriti kulmin të hënën, me erëra deri në 265 km/orë. Stuhia preku Filipinet, Tajvanin, Hong Kongun dhe jugun e Kinës, para se të lëvizte drejt perëndimit përgjatë bregut jugor kinez drejt Vietnamit.

Ragasa, e cila ndërkohë u ul nga një supertajfun në një stuhi, arriti kulmin të hënën me erëra maksimale prej 265 km/orë, duke e bërë ciklonin më të fortë të këtij viti deri tani. Të enjten, këto erëra u dobësuan në 65 km/orë.

Stuhia solli reshje të dendura dhe erëra të forta, duke përmbytur rrugët dhe shkulur qindra pemë. Në qytetin Yangjiang të Guangdongut, u dëmtuan mbi 10,000 pemë, dhe ekipet e emergjencës përdorën ekskavatorë për të pastruar pemët e rrëzuara, raportoi media lokale

Në qytetin Zhuhai, ekipet përdorën varka të fryra për të lundruar në rrugët e përmbytura dhe për të shpëtuar banorët e bllokuar. Uji përmbyti disa shtëpi në katin e parë në lagjet më të vjetra, ndërsa shumë banorë kërkuan strehim në katet më të larta të shtëpive të tyre. Në Hong Kong, bizneset u rihapën dhe fluturimet rifilluan pas ndërprerjes së rreth 1,000 fluturimeve, që preku 140,000 pasagjerë, raporton euronews.

Gjithashtu në Guangzhou dhe Shenzhen, aktivitetet që u ndaluan më herët gjatë javës gradualisht u kthyen në normalitet.

Në Tajvan, reshjet e dendura të së martës shkaktuan përmbytjen e një liqeni ndalues në Guangfu Township në qarkun lindor të Hualien, duke shkaktuar rrëzimin e një ure dhe përmbytjen e rrugëve të rajonit. Autoritetet të enjten rishikuan numrin e viktimave nga 17 në 14 për shkak të regjistrimeve të përsëritura.

Të paktën 10 vdekje u raportuan në Filipine, përfshirë shtatë peshkatarë që mbytën kur valët e mëdha dhe erërat e forta përmbysën anijen e tyre në provincën Cagayan. Dy peshkatarë mbeten të zhdukur të enjten.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota