Musk dhe princi Andrew përmenden në dosjet e reja të Epsteinit
Flutura Bekqeli/ RTK
Miliarderi Elon Musk dhe Duka i Jorkut, Princi Andrew, përmenden në dosjet e reja të publikuara nga demokratët e Kongresit, që lidhen me të dënuarin për krime seksuale, të ndjerin Jeffrey Epstein.
Dosjet e dorëzuara Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve nga prona e Jeffrey Epstein tregojnë se Musk ishte ftuar në ishullin e financierit në dhjetor 2014. Ndërkaq, një manifest fluturimi nga New Jersey në Florida në maj 2000 përmend Dukën e Jorkut midis pasagjerëve.
Princi Andrew ka mohuar me forcë çdo shkelje. Musk është cituar më parë duke thënë se Epstein e kishte ftuar në ishull, por ai kishte refuzuar. Të dhënat e pjesshme vijnë nga grupi i tretë i dokumenteve të mbledhura nga prona e Epstein, ku përfshihen regjistra mesazhesh telefonike, kopje të regjistrave të fluturimeve dhe manifeste aeroplanesh, kopje të regjistrave financiarë dhe orari ditor i Epstein.
Përveç Musk dhe Princit Andrew, dosjet e publikuara përmbajnë edhe emrat e figurave të tjera të njohura, përfshirë sipërmarrësin e internetit Peter Thiel dhe Steve Bannon, ish-këshilltar i presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Një manifest fluturimi tregon se Princi Andrew ishte në një fluturim me Epstein dhe bashkëpunëtoren e tij, Ghislaine Maxwell, nga Teterboro, New Jersey, për në West Palm Beach, Florida, më 12 maj 2000. Maxwell u dënua në vitin 2021 për konspiracion me Epstein për trafikim seksual të vajzave.
Epstein kreu vetëvrasje në një qeli burgu në Nju Jork në gusht 2019, ndërsa priste gjyqin për akuzat e trafikimit seksual. Në vitin 2008, ai kishte arritur një marrëveshje pranimi fajësie me prokurorët, pasi prindërit e një vajze 14-vjeçare kishin raportuar se Epstein e kishte abuzuar vajzën e tyre në shtëpinë e tij në Palm Beach. Ai u arrestua përsëri në korrik 2019 për akuza të ngjashme.
Sara Guerrero, zëdhënëse e Demokratëve në Komitetin Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve, i kërkoi Prokurores së Përgjithshme të SHBA-së, Pam Bondi, të publikojë më shumë dosje lidhur me Epstein. Republikanët në komision akuzuan demokratët se “po vënë politikën mbi viktimat” dhe thanë se do të publikojnë së shpejti dokumentet e plota.























