Ukraina goditet nga dronë dhe raketa ruse
BKT
Rajoni dhe Bota

Ukraina goditet nga dronë dhe raketa ruse

Dardan Ramabaja/RTK

Rusia përsëri ka kryer një sulm masiv të kombinuar me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës, ku në epiqendër ishte kryeqyteti Kiev, duke shkaktuar viktima dhe dëme në zonat e banuara.

Autoritetet ukrainase kanë njoftuar se një "sulm masiv" nga Rusia kundër kryeqytetit të Ukrainës ka vrarë të paktën katër persona dhe ka plagosur të paktën 27 të tjerë.

Dronët goditën disa rajone gjatë natës, përfshirë Zaporizhzhian, ku të paktën 16 persona, përfshirë tre fëmijë, u plagosën, sipas autoriteteve.

Ministri i jashtëm i Ukrainës Andri Sibiha ka thënë se qindra dronë dhe raketa ishin përdorur në sulmet e fundit ndaj Ukrainës.

Të shtunën, Presidenti Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se Rusia nuk do të ndalet me vendin e tij, prandaj po teston mbrojtjen ajrore evropiane me ndërhyrjet e fundit në disa vende që i përkasin aleancës ushtarake të NATO-s.

"Putin nuk do të presë të përfundojë luftën e tij në Ukrainë. Ai do të hapë një drejtim tjetër. Askush nuk e di se ku. Ai e dëshiron këtë," ka shtuar Zelensky.

Ai foli disa orë para se breshëria e fundit ruse të godiste qytetet ukrainase. Në Poloninë fqinje, aeroplanët luftarakë u ngritën herët të dielën ndërsa Rusia goditi Ukrainën perëndimore, thanë forcat e armatosura polake.

Ushtria polake i përshkroi më tej veprimet, të cilat janë bërë rutinë që kur aeroplanët polakë dhe ata të NATO-s qëlluan tre dronë rusë në hapësirën ajrore të Polonisë më 10 shtator.

Ndërkohë, Moska mohoi përgjegjësinë pasi Danimarka tha se disa dronë fluturuan mbi aeroportet e saj. Vetë Danimarka ka thënë se incidentet dukeshin të ishin vepër e një "aktori profesionist", pa specifikuar se kush mund të ishte ky.

Edhe Estonia ka akuzuar Rusinë për shkelje të hapësirës së saj ajrore me aeroplanë luftarakë. Trump ka shkuar deri aty sa ka thënë se vendet e NATO-s duhet të rrëzojnë aeroplanët rusë në hapësirën e tyre ajrore. Ai gjithashtu ndryshoi qëndrimin e tij ndaj luftës Rusi-Ukrainë, duke thënë për herë të parë javën e kaluar se Ukraina mund të rifitonte të gjithë tokën e saj nga Moska.

Në një fjalim të mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të shtunën, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov tha se vendi i tij nuk kishte ndërmend të sulmonte vendet anëtare të BE-së ose NATO-s, por paralajmëroi për një "përgjigje vendimtare" ndaj çdo "agresioni" të drejtuar ndaj Moskës.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota