Lindja e Mesme dhe Evropa mirëpresin planin e Trump-it për Gazën
BKT
Rajoni dhe Bota

Lindja e Mesme dhe Evropa mirëpresin planin e Trump-it për Gazën

M.M./ RTKlive

Udhëheqës nga Evropa dhe Lindja e Mesme e kanë mirëpritur një plan paqeje për Gazën nga SHBA, teksa presidenti Donald Trump paralajmëroi Hamasin që ta pranojë atë.

Plani, i dakorduar nga Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, propozon një fund të menjëhershëm të luftimeve, lirimin brenda 72 orësh të 20 pengjeve izraelite të gjallë që mbahen nga Hamasi, si dhe kthimin e eshtrave të mbi dy dhjetëra pengjeve, të cilët besohet se kanë të vdekur, në këmbim të qindra të burgosurve nga Gaza.

Zyrtarët e Hamasit e kanë marrë planin me 20 pika, tha një burim palestinez për BBC.

Plani gjithashtu thotë se Hamasi nuk do të ketë asnjë rol në qeverisjen e Gazës dhe lë të hapur mundësinë për një shtet palestinez në të ardhmen, por Netanyahu më vonë e përjashtoi sërish këtë.

Duke folur në konferencën për shtyp të së hënës në Shtëpinë e Bardhë, Trump e quajti planin “një ditë historike për paqen”.

Por ai tha se Netanyahu do të ketë mbështetjen e SHBA-së për të “përfunduar punën e shkatërrimit të kërcënimit nga Hamasi” nëse ky nuk e pranon planin.

Netanyahu pastaj tha se Izraeli “do ta përfundojë punën” nëse Hamasi e refuzon planin ose nuk e zbaton atë.

Në një deklaratë me video pak më vonë, Netanyahu përsëriti kundërshtimin e tij të hershëm ndaj një shteti palestinez. “Nuk është shkruar në marrëveshje. Ne thamë se do ta kundërshtojmë fuqishëm një shtet palestinez,” tha ai.

Ai shtoi se plani i paqes do t’i lejonte Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) të qëndronin në Gaza, ndryshe nga teksti i propozimit të publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Autoriteti Palestinez (AP), i cili qeveris pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, i quajti përpjekjet e presidentit amerikan “të sinqerta dhe të vendosura”.

Në një deklaratë të publikuar nga agjencia e tij Wafa, Autoriteti Palestinez tha se “rinovon angazhimin e përbashkët për të punuar me Shtetet e Bashkuara, shtetet e rajonit dhe partnerët” për t’i dhënë fund luftës në Gaza, për të siguruar shpërndarje të mjaftueshme të ndihmës humanitare dhe lirimin e pengjeve dhe të burgosurve.

Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite, Katarit, Egjiptit, Jordanisë, Turqisë, Indonezisë dhe Pakistanit thanë se mirëpritën “udhëheqjen dhe përpjekjet e sinqerta të Trump-it për t’i dhënë fund luftës në Gaza”.

Ata thanë se janë të gatshëm të angazhohen me SHBA për të finalizuar dhe zbatuar marrëveshjen, e cila sipas tyre duhet të çojë në një “zgjidhje me dy shtete, ku Gaza integrohet plotësisht me Bregun Perëndimor në një shtet palestinez”.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se ishte “i inkurajuar nga përgjigjja pozitive e kryeministrit Netanyahu” ndaj propozimit. Ai shtoi: “të gjitha palët duhet ta shfrytëzojnë këtë moment për t’i dhënë paqes një shans të vërtetë”.

Propozimi, nëse zbatohet, do të fillonte me një ndërprerje të menjëhershme të operacioneve ushtarake. Ai gjithashtu thotë se “linjat e frontit” ekzistuese do të ngrihen në vend, derisa të përmbushen kushtet për një tërheqje në faza. Hamasi do të dorëzonte armët dhe tunelet e tij, si dhe objektet e prodhimit të armëve do të shkatërroheshin.

Për çdo peng izraelit, eshtrat e të cilit dorëzohen, Izraeli do të lirojë eshtrat e 15 palestinezëve të vrarë, thuhet në plan.

Plani gjithashtu përcakton se, pasi të dyja palët të bien dakord për propozimin, “ndihma e plotë do të dërgohet menjëherë në Rripin e Gazës”.

SHBA, gjithashtu, paraqet planin e saj për qeverisjen e ardhshme të Gazës.

Ajo thotë se një “komitet palestinez teknokratik, jopolitik” do të qeverisë përkohësisht “me mbikëqyrje dhe mbështetje nga një trup i ri ndërkombëtar tranzicional, i quajtur Bordi i Paqes”, i cili, sipas saj, do të kryesohet nga Trump.

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, do të jetë pjesë e trupit qeverisës, së bashku me liderë të tjerë “që do të shpallen”. Tony Blair e quajti planin “të guximshëm dhe inteligjent”.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, gjithashtu e mirëpriti planin, duke thënë: “Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të bashkohen dhe të punojnë me administratën e SHBA për ta finalizuar këtë marrëveshje dhe për ta bërë atë realitet.

“Hamasi tani duhet të pajtohet me planin dhe t’i japë fund mjerimit, duke dorëzuar armët dhe duke liruar të gjithë pengjet e mbetur,” shtoi Keir.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Franca është e gatshme të kontribuojë në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës dhe lirimin e pengjeve.

“Këto elemente duhet të hapin rrugën për diskutime të thelluara me të gjithë partnerët relevantë për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme në rajon, të bazuar në zgjidhjen me dy shtete”, tha ai.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, tha në një deklaratë se propozimi “mund të përfaqësojë një pikë kthese në këtë proces. “Italia u bën thirrje të gjitha palëve të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe ta pranojnë planin”, tha ajo


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota