Druzët në Siri kërkojnë autonomi dhe afrimin me Izraelin
M.M./ RTKlive
Forcat qeveritare siriane hynë në qytetin Sweida gjatë verës, në një përpjekje të dukshme për të rivendosur kontrollin mbi enklavën e pakicës druze, e cila prej vitesh kishte funksionuar me gjysmë-autonomi.
Por kjo dështoi. Sulmet sektare ndaj civilëve druzë gjatë luftimeve që pasuan e forcuan qëndrimin kundër qeverisë, e shtynë atë drejt Izraelit dhe bënë që disa pjesëtarë të kësaj pakice të shkonin aq larg sa të kërkonin shkëputje.
Tani grupet druze kanë ngritur një trup ushtarak dhe qeveritar de facto në Sweida, të ngjashëm me autoritetet e drejtuara nga kurdët në verilindje të vendit. Ky është një dështim i madh për Damaskun, i cili po përpiqet të ushtrojë autoritet në të gjithë vendin pas një lufte civile 13-vjeçare dhe të fitojë mbështetjen e pakicave, raporton AP.
Kur ish-presidenti Bashar Assad u rrëzua nga kryengritësit e udhëhequr nga islamistët në dhjetor, shumë druzë festuan, duke mirëpritur një epokë të re pas më shumë se 50 vitesh sundim autokratik. Ata ishin të gatshëm t’i jepnin një shans presidentit të përkohshëm Ahmad al-Sharaa, një ish-militant i lidhur me Al-Kaidën, i cili premtoi një tranzicion politik demokratik dhe gjithëpërfshirës.
Mes tyre ishte Omar Alkontar, një student i biologjisë 21-vjeçar. Por fshati i tij pranë qytetit Sweida u dogj i tëri gjatë përleshjeve të korrikut.
Tani, ai thotë se “ideja kryesore është se duhet të ndahemi (nga Damasku) për të parandaluar një masakër tjetër”.
Shumica e afërsisht 1 milionë druzëve në botë jetojnë në Siri, ndërsa pjesa tjetër në Liban, Izrael dhe në Lartësitë Golan, të cilat Izraeli i pushtoi nga Siria në vitin 1967 dhe më pas i aneksoi.
Druzët e Sirisë krenohen me përfshirjen e tyre historike në kryengritjet kundër sundimit osman dhe kolonializmit francez për të krijuar një shtet sirian laik e nacionalist.
Por ajo që ndodhi në korrik ka tronditur rreth një shekull të historisë politike të druzëve sirianë dhe i ka shtyrë shumë prej tyre drejt një aleati dikur tabu.
Kur shpërtheu dhuna në Sweida, Izraeli reagoi duke kryer sulme ndaj forcave qeveritare siriane dhe ndaj selisë së Ministrisë së Mbrojtjes së Sirisë në Damask. Forcat siriane u tërhoqën nga Sweida.
Zyrtarët izraelitë kanë shtyrë gjithashtu për një zonë më të gjerë të demilitarizuar në jug të Sirisë. Ndikimi në terren është i dukshëm.
Alkontar, studenti i biologjisë, nuk beson se motivet e Izraelit janë altruiste, por thotë se ndërhyrja e tij ishte një shpëtim për shumë njerëz në Sweida.
“Nuk është domosdoshmërisht dashuri për Izraelin. Ata u ndjenë më të sigurt pas sulmeve, gjë që është shumë e trishtueshme,” tha Alkontar pasi mori pjesë në një protestë në Sheshin Karama.
Damasku përpiqet të ndryshojë kursin
Al-Sharaa, president i Sirisë, ka tentuar t’i afrohet komunitetit druz që nga përleshjet e korrikut dhe ka paralajmëruar se Izraeli po përpiqet të shfrytëzojë tensionet.
“U bënë gabime nga të gjitha palët: komuniteti druz, beduinët, madje edhe vetë shteti,” tha ai në një intervistë për televizionin shtetëror. “Çdokush që ka kryer shkelje, ka bërë gabime apo ka cenuar të drejtat e njerëzve duhet të mbahet përgjegjës.”
Presidenti më pas formoi një mision hetimor. Muajin e kaluar, Damasku së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Jordaninë shpallën një plan për të kthyer druzët dhe beduinët e zhvendosur, për të dërguar ndihma në Sweida dhe për të sjellë pajtim.
Të dyja masat u hodhën poshtë gjerësisht në Sweida.























