Dhjetëra të vrarë në Gaza, Hamasi shqyrton planin e Trump-it për paqe
M.M./ RTKlive
Sulmet dhe të shtënat izraelite gjatë natës dhe deri të enjten lanë të paktën 41 palestinezë të vrarë në Rripin e Gazës, ndërsa Hamasi ende po shqyrtonte përgjigjen e tij ndaj propozimit të presidentit amerikan, Donald Trump për t’i dhënë fund luftës pothuajse dyvjeçare.
Plani kërkon që Hamasi të kthejë të gjithë 48 pengjet, rreth 20 prej tyre që Izraeli beson se janë gjallë, të heqë dorë nga pushteti dhe të çarmatoset, në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë dhe përfundimit të luftimeve. Megjithatë, propozimi, i cili është pranuar nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk përcakton asnjë rrugë drejt shtetësisë palestineze, raporton AP.
Palestinezët dëshirojnë që lufta të përfundojë, por shumë besojnë se plani favorizon Izraelin, dhe një zyrtar i Hamasit i tha Associated Press se disa elemente ishin të papranueshme, pa dhënë hollësi. Katari dhe Egjipti, dy ndërmjetësues kryesorë, thanë se kërkohet më shumë negociim për disa çështje.























