Zelenskyy: Dronët rusë rrezikojnë sigurinë bërthamore në Ukrainë
BKT
Rajoni dhe Bota

Zelenskyy: Dronët rusë rrezikojnë sigurinë bërthamore në Ukrainë

M.M./ RTKlive

Bombardimet e vazhdueshme të Rusisë ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës po shtojnë shqetësimet për sigurinë e objekteve bërthamore të vendit, pasi një dron ndërpreu energjinë për më shumë se tre orë në vendin e katastrofës bërthamore të Çernobilit të vitit 1986, ndërsa centrali më i madh bërthamor i Evropës mbetet i shkëputur nga rrjeti, thanë zyrtarët.

Si Çernobili, ashtu edhe centali bërthamor i Zaporizhzhias, i pushtuar nga Rusia, nuk janë në funksion, por ata kanë nevojë për furnizim të vazhdueshëm me energji për të mbajtur në punë sistemet e rëndësishme të ftohjes për elementët e karburantit të përdorur, për të shmangur një incident bërthamor të mundshëm.

Një ndërprerje e energjisë mund të bllokojë gjithashtu sistemet e monitorimit të rrezatimit, të instaluara për të përmirësuar sigurinë në Çernobil dhe të operuara nga mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), raporton AP.

“Rusia po krijon qëllimisht kërcënimin e incidenteve bërthamore,” tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, të mërkurën vonë, duke kritikuar mbikëqyrësin e OKB-së dhe kreun e tij Rafael Mariano Grossi për atë që e përshkroi si reagime të dobëta ndaj rrezikut.

“Çdo ditë e luftës së Rusisë, çdo goditje ndaj objekteve tona energjetike, përfshirë ato që lidhen me sigurinë bërthamore, është një kërcënim global,” tha ai. “Masat e dobëta dhe të pjesshme nuk do të funksionojnë. Duhet veprim i fortë”.

Lufta që pasoi pushtimin e plotë rus të fqinjit të tij më shumë se tre vjet më parë duket se nuk po afrohet drejt përfundimit, pavarësisht muajve të përpjekjeve të udhëhequra nga SHBA për paqe.

Zelenskyy tha në fjalimin e tij të përditshëm se Rusia ka nisur mbi 20 dronë ‘Shahed’ kundër infrastrukturës energjetike në Slavutych, qyteti që furnizon me energji Çernobilin, vendin e aksidentit më të keq bërthamor në botë.

Ai shtoi se një valë dronësh ka mbingarkuar mbrojtjen dhe ka shkaktuar një ndërprerje energjie, duke prekur sarkofagun që parandalon shpërndarjen e pluhurit radioaktiv nga reaktori i katërt i shkatërruar dhe depozitën që mban mbi 3.000 tonë karburant të përdorur. Ai nuk dha detaje se si u ndikua konkretisht.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota