Publikohen emrat e dy viktimave në sinagogën e Manchesterit
BKT
Rajoni dhe Bota

Publikohen emrat e dy viktimave në sinagogën e Manchesterit

M.M./ RTKlive

Policia identifikoi të premten dy burrat që u vranë në një sulm me makinë dhe thikë ndaj një sinagoge në veriperëndim të Anglisë, në ditën më të shenjtë të vitit hebraik, ndërsa rabini kryesor i Britanisë tha se një “valë e pandalshme” antisemitizmi qëndronte pas këtij krimi.

Policia e Greater Manchester tha se banorët lokalë Adrian Daulby, 53 vjeç, dhe Melvin Cravitz, 66 vjeç, vdiqën në sulmin ndaj Sinagogës Heaton Park Congregation në lagjen Crumpsall të Manchesterit. Të tre persona të tjerë janë të shtruar në spital në gjendje të rëndë.

Policia qëlloi dhe vrau një të dyshuar shtatë minuta pasi ai përplas me makinë këmbësorët jashtë sinagogës të enjten në mëngjes dhe më pas sulmoi ata me thikë. Ai mbante një rrip që dukej si eksploziv, i cili rezultoi të ishte i rremë, raporton AP.

Sulmi ndodhi ndërsa njerëzit ishin mbledhur në sinagogën ortodokse për ‘Yom Kippur’, ditën e pendesës dhe ditën më solemne të kalendarit hebraik.

Rabini kryesor Ephraim Mirvis, kreu i Judaizmit Ortodoks në Britani, tha se sulmi ishte rezultat i “një vale të pandalshme urrejtjeje ndaj hebrenjve” në rrugë dhe në internet.

“Kjo është dita që shpresonim të mos e shihnim kurrë, por që thellë në zemër e dinim se do të vinte,” shkroi ai në rrjetet sociale.

Policia identifikoi sulmuesin si Jihad Al-Shamie, një shtetas britanik 35-vjeçar me origjinë siriane, i cili hyri në Mbretërinë e Bashkuar si fëmijë i vogël dhe u bë qytetar në vitin 2006. Autoritetet nuk janë të sigurt nëse ky është emri i tij i lindjes, pasi “Al-Shamie” përkthehet në anglisht si “siriani.”

Policia tha se krimi po hetohet si një sulm terrorist. Sekretarja e Brendshme Shabana Mahmood tha se sulmuesi nuk ishte i njohur më parë për policinë apo programin kombëtar kundër terrorizmit, që synon të identifikojë personat me rrezik radikalizimi.

Policia tha se ende po heton motivin e sulmuesit. Oficerët arrestuan të enjten tre persona nën dyshim për përgatitjen ose kryerjen e akteve terroriste. Ata janë dy burra në të 30-at dhe një grua në të 60-at.

Udhëheqës fetarë dhe politikë dënuan sulmin dhe premtojnë të sigurojnë komunitetin hebre britanik, që numëron rreth 300.000 anëtarë.

Rastet e regjistruara antisemitike në Mbretërinë e Bashkuar janë rritur ndjeshëm që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj Izraelit dhe lufta pasuese e Izraelit kundër Hamasit në Gaza, sipas ‘Community Security Trust’, një grup për mbrojtjen e hebrenjve britanikë. Më shumë se 1.500 incidente u raportuan gjatë gjysmës së parë të vitit, shifra e dytë më e lartë gjashtëmujore e regjistruar që nga viti i kaluar.

 

 

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota