Izraeli ndal varkën e fundit të flotilës së Gazës
M.M./ RTKlive
Forcat izraelite ndaluan të premten varkën e fundit të një flotile ndërkombëtare që po përpiqej të thyejë bllokadën detare të Izraelit ndaj Gazës së shkatërruar nga lufta, ndërsa qytete anembanë botës shpërthyen në protesta kundër veprimeve izraelite në Gaza dhe arrestimit të rreth 450 aktivistëve që ishin në bord.
Një ministër izraelit i krahut të djathtë u përball me aktivistët e flotiles së ndaluar, duke tallur nismën e tyre për ndihmë dhe duke i akuzuar ata për mbështetje të “terrorizmit” në një video që qarkullonte të premten, raporton AP.
Në Itali, punëtorët dhe studentët dolën në rrugë pasi sindikatat më të mëdha të vendit bënë thirrje për një grevë të përgjithshme njëditore në solidaritet me palestinezët dhe flotilen. Qindra trena u anuluan ose u vonuan, po ashtu edhe disa fluturime të brendshme, ndërsa shumë shkolla publike e private u mbyllën.
Varka e fundit
Varka e fundit në flotilen ‘Globale Sumud, Marinette’, kishte mbetur pas pjesës tjetër të anijeve dhe ende po lundronte drejt territorit palestinez në orët e para të së premtes, një ditë pasi marina izraelite kishte sulmuar 41 anije të tjera dhe kishte arrestuar aktivistët, duke thënë se ata do të dëboheshin.
Një transmetim i drejtpërdrejtë nga Marinette tregoi momentin kur trupat izraelite hipën në bord.
Flotilja, e cila po transportonte një sasi simbolike ndihmash humanitare për Gazën, ishte përpjekja më e madhe deri tani për të thyer bllokadën e Izraelit ndaj territorit palestinez.
Ndalimet e Izraelit filluan të mërkurën në mbrëmje dhe vazhduan deri të enjten, teksa varkë pas varke ndalohej pranë brigjeve të Gazës dhe aktivistët, mes tyre Greta Thunberg, nipi i Nelson Mandelës, Mandla Mandela, dhe disa deputetë evropianë, u arrestuan.
Autoritetet izraelite kishin paralajmëruar se edhe Marinette do të ndalej nëse vazhdonte udhëtimin.























