Izraeli dhe Hamasi drejt negociatave për armëpushim në Egjipt
M.M./ RTKlive
Izraeli dhe Hamasi po përgatiten për negociata indirekte në Egjipt të hënën, ndërsa po shtohen shpresat për një armëpushim të mundshëm, teksa kryeministri Benjamin Netanyahu tha se një marrëveshje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve mund të arrihet këtë javë.
Negociatat do të zhvillohen pasi presidenti Donald Trump mirëpriti deklaratën e grupit militant se ka pranuar disa elemente të planit amerikan. Izraeli më herët kishte thënë se e mbështet përpjekjen e re të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës, raporton AP.
Egjipti do të presë delegacionet nga Izraeli dhe Hamasi të hënën për të diskutuar propozimin për shkëmbimin e pengjeve izraelite me të burgosur palestinezë, tha Ministria e Jashtme e vendit. I dërguari amerikan Steve Witkoff do t’u bashkohet gjithashtu bisedimeve, bëri të ditur një zyrtar egjiptian, i cili foli në kushte anonimiteti, pasi nuk ishte i autorizuar të informonte gazetarët.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se situata aktuale është “më afër se kurrë më parë për t’i liruar të gjithë pengjet”.
Duke folur për emisionin “This Week” të ABC-së, ai përshkroi dy faza pas pranimit nga Hamasi të kornizës së propozuar nga Trump: fillimisht lirohen pengjet dhe më pas Izraeli tërhiqet deri në “vijën e verdhë”, ku ndodhej në gusht 2024.
Rritet mbështetja ndërkombëtare për armëpushim
Ministrat e Jashtëm të tetë vendeve me shumicë myslimane publikuan të dielën një deklaratë të përbashkët, duke mirëpritur hapat drejt një armëpushimi të mundshëm.
Duke mbështetur gatishmërinë e Hamasit për t’ia kaluar administrimin e Gazës një komiteti kalimtar, ministrat kërkuan “nisjen e menjëhershme të negociatave për të rënë dakord mbi mekanizmat e zbatimit të propozimit”.
Ata, gjithashtu, nënvizuan angazhimin e tyre për rikthimin e Autoritetit Palestinez në Gaza, bashkimin e Gazës me Bregun Perëndimor dhe arritjen e një marrëveshjeje sigurie që do të çonte në një “tërheqje të plotë izraelite” nga Gaza.
Rubio theksoi se këto vendime që lidhen me strukturën e qeverisjes apo me një grup ndërkombëtar për menaxhimin e Gazës mund të ndodhin paralelisht me hapin e parë të armëpushimit, shkëmbimin e pengjeve me të burgosur palestinezë që mbahen nga Izraeli.
“Kjo është pjesa që mendoj se do të jetë pak më e vështirë për t’u zgjidhur, por është ajo që do t’i japë qëndrueshmëri përfundimit të konfliktit,” tha ai.























