Izraeli dhe Hamasi kanë nisur bisedimet në Kajro
Hanife Osmani / RTK
Izraeli dhe grupi Hamas kanë nisur sot në Kajro bisedime indirekte, që synojnë zbatimin e planit të paqes për Gazën të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Takimi po zhvillohet me ndërmjetësimin e Egjiptit dhe Katarit, ndërsa burime diplomatike thonë se ky është delegacioni më i madh i Hamasit që nga fillimi i luftës dy vjet më parë.
Sipas mediave ndërkombëtare, bisedimet përgatitore kanë nisur në orën 10:00 sipas kohës lokale të Egjiptit, pra në 09:00 me orën e Kosovës. Delegacioni i Hamasit drejtohet nga Khalil al-Hayya, një figurë e lartë e lëvizjes, i cili muajin e kaluar i mbijetoi një tentative për vrasje nga Izraeli në Katar.
Në krye të ndërmjetësimit janë kryeministri i Katarit dhe ministri egjiptian i inteligjencës, të cilët po përgatisin detajet teknike të planit 20-pikësh të Donald Trumpit.
Ky plan parashikon çarmatimin e Hamasit, lirimin e të gjithë pengjeve izraelitë, si dhe tërheqjen graduale të trupave izraelite nga Gaza.
Megjithatë, Hamas deri tani ka pranuar vetëm një pjesë të kushteve përfshirë lirimin e pengjeve ndërsa ka refuzuar të flasë për çarmatimin apo heqjen dorë nga roli politik në qeverisjen e ardhshme të Gazës. Vetëm pak ditë më parë, Trump priti në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin izraelit Benjamin
Netanyahu, me të cilin diskutoi hollësitë e planit. Pas takimit, Trump i dha Hamasit tre deri në katër ditë kohë për t’u përgjigjur, ndërsa paralajmëroi se nëse nuk lëvizin shpejt, të gjitha bastet janë të humbura.
Nga ana tjetër, Netanyahu u shfaq në një deklaratë televizive duke thënë se Izraeli është në prag të një arritjeje shumë të madhe. Ai njoftoi se negociatorët izraelitë janë nisur drejt Egjiptit për të finalizuar lirimin e pengjeve të mbetura. Megjithatë, ai përsëriti se Hamas duhet të çarmatohet, ose përmes marrëveshjes sipas planit të Trumpit, ose me forcë ushtarake nga Izraeli.
Ndërkohë që diplomacia po përpiqet të gjejë zgjidhje, sulmet izraelite në Gaza kanë vazhduar. Sipas Mbrojtjes Civile palestineze, 24 persona janë vrarë në 24 orët e fundit, ndërsa ushtria izraelite ka deklaruar se ka goditur një numër objektivash në qytetin e Gazës, përfshirë një grup të armatosur me eksplozivë.























