I dërguari i SHBA-së dhe dhëndri i Trump marrin pjesë në bisedimet e paqes
BKT
Rajoni dhe Bota

I dërguari i SHBA-së dhe dhëndri i Trump marrin pjesë në bisedimet e paqes

Flutura Bekqeli /RTK

I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Jared Kushner, do t`u bashkohen bisedimeve për planin e paqes në Gaza midis negociatorëve izraelitë dhe Hamas në Egjipt të mërkurën.

Mbërritja e tyre vjen ndërsa dita e dytë e bisedimeve indirekte të martën përfundoi pa rezultate të prekshme, ka thënë për BBC-në një zyrtar i lartë palestinez i njohur me negociatat.

Trump mbajti një ton pozitiv ndërsa izraelitët shënuan përvjetorin e dytë të sulmeve të udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor në vendin e tyre, duke thënë "ekziston mundësia që të kemi paqe në Lindjen e Mesme".

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk komentoi mbi statusin e bisedimeve, por u tha izraelitëve se ishin në "ditë vendimtare".

Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani, i cili shihet si një ndërmjetës kryesor, do t'i bashkohet gjithashtu bisedimeve, tha një zyrtar për agjencinë e lajmeve Reuters.

Pjesëmarrja e Al Thanit kishte për qëllim "të shtynte përpara planin e armëpushimit në Gaza dhe marrëveshjen për lirimin e pengjeve", tha zyrtari. Pritet që atij t'i bashkohet edhe kreu i inteligjencës turke.

Një zyrtar izraelit tha se seanca e mëngjesit përfundoi pa rezultate të prekshme, mes mosmarrëveshjeve mbi hartat e propozuara të tërheqjes izraelite nga Gaza dhe mbi garancitë që Hamasi dëshiron të sigurojë që Izraeli të mos rifillojë luftimet pas fazës së parë të marrëveshjes.

Trump iu drejtua shqetësimeve të martën, duke u thënë gazetarëve se "ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për t'u siguruar që të gjithë t'i përmbahen marrëveshjes".

Më parë, një zyrtar palestinez tha se negociatat ishin përqendruar në pesë çështje kryesore: një armëpushim i përhershëm; shkëmbimi i pengjeve që mbahen ende nga Hamasi për të burgosurit dhe të paraburgosurit palestinezë nga Gaza; tërheqja e forcave izraelite nga Gaza; marrëveshjet për shpërndarjen e ndihmës humanitare; dhe qeverisja e territorit pas luftës.

E kryenegociatori i Hamasit, Khalil al-Hayya, të cilin Izraeli e shënjestroi muajin e kaluar në një seri sulmesh ajrore në kryeqytetin e Katarit, i tha televizionit Al Qahera News, të lidhur me shtetin egjiptian, se grupi kishte ardhur për të zhvilluar "negociata serioze dhe të përgjegjshme".


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota