Izraeli dhe Hamasi arrijnë marrëveshje për fazën e parë të planit të paqes
BKT
Rajoni dhe Bota

Izraeli dhe Hamasi arrijnë marrëveshje për fazën e parë të planit të paqes

Flutura Bekqeli /RTK

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se Izraeli dhe Hamasi kanë arritur marrëveshje për fazën e parë të planit të tij të paqes në Gazë, pas disa muajsh tensioni dhe negociatash të ndërlikuara.

Marrëveshja e fazës së parë pritet të shënojë fillimin e një procesi të ri paqeje ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, ku përfshihen lirimi i pengjeve izraelite dhe i të burgosurve palestinezë, tërheqja graduale e forcave izraelite nga pjesë të Gazës dhe lehtësimi i hyrjes së ndihmave humanitare në këtë territor.

Qeveria e Izraelit do të mblidhet sot dhe, nëse e miraton zyrtarisht marrëveshjen, pritet që armëpushimi të hyjë në fuqi menjëherë pas këtij vendimi. Sipas Shtëpisë së Bardhë, të gjithë pengjet izraelite që mbeten nën kontrollin e Hamasit do të lirohen deri të hënën, ndërsa më pas do të shqyrtohen hapat e mëtejshëm të procesit.

Hamasi ka konfirmuar gjithashtu arritjen e marrëveshjes, megjithatë, sipas një burimi palestinez, grupi ende nuk e ka marrë listën përfundimtare të të burgosurve që Izraeli planifikon t’i lirojë në kuadër të saj.

Në Gazë dhe në Izrael janë regjistruar skena festimi nga të dyja palët - palestinezët për përparimin drejt paqes, ndërsa familjarët e pengjeve izraelite për lajmin e lirimit të afërm të të dashurve të tyre. Negociatat u zhvilluan në Sharm el-Sheikh të Egjiptit dhe janë vlerësuar si më të rëndësishmet në muajt e fundit.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, e ka quajtur marrëveshjen “një ditë të madhe për vendin e tij”, ndërsa kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se ky është “një moment lehtësimi që do të ndihet në mbarë globin”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka përgëzuar përpjekjet diplomatike të SHBA-së, Katarit, Egjiptit dhe Turqisë për ndërmjetësimin e kësaj marrëveshjeje.

Dje drejt Egjiptit kishin udhëtuar edhe emisarët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, si dhe kryeministri i Katarit e shefi i inteligjencës turke, për të dhënë shtytje finale arritjes së saj.

Në zhvillime të tjera, Franca do të mbajë të enjten në Paris një takim me vendet arabe dhe evropiane për të diskutuar planet e “një dite më pas” për Gazën, në rast se armëpushimi do të zgjasë.

Në takim do të marrin pjesë ministrat nga Egjipti, Jordania, Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe përfaqësues nga Mbretëria e Bashkuar, Italia, Gjermania, Spanja, Turqia dhe Bashkimi Evropian - por jo Izraeli.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota