Tërmet i fuqishëm në Filipine, vdesin dy persona
M.M./ RTKlive
Një tërmet me magnitudë 7.4 ballë që goditi të premten në mëngjes brigjet jugore të Filipineve ku shkaktoi vdekjen e të paktën dy personave, dëmtoi një spital dhe disa shkolla, ndërpreu furnizimin me energji elektrike dhe shkaktoi evakuime në zonat bregdetare për shkak të një paralajmërimi për cunami.
Presidenti Ferdinand Marcos Jr., i përballur me një tjetër fatkeqësi natyrore pas një tërmeti të mëparshëm dhe dy stuhive të njëpasnjëshme, tha se po vlerësohej dëmi i mundshëm dhe se ekipet e shpëtimit dhe ndihmës ishin përgatitur për t’u dërguar në terren sapo të ishte e sigurt, raporton AP.
Instituti filipinas i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë tha se priten dëme dhe pasgoditje nga tërmeti, i cili kishte epiqendrën në det rreth 43 kilometra në lindje të qytetit Manay në provincën Davao Oriental dhe ishte shkaktuar nga lëvizja në Hendekun Filipinas, në një thellësi prej 23 kilometrash.
Të paktën dy persona humbën jetën pasi u zunë poshtë nga shtëpitë e dëmtuara në Davao Oriental, tha guvernatori i provincës, Nelson Dayanghirang Sr., për kanalin ABS-CBN News, duke shtuar se rreth 250 pacientë u evakuuan nga një spital i dëmtuar dhe do të strehohen përkohësisht në tenda.
Zëvendësadministratori i Zyrës së Mbrojtjes Civile, Bernardo Rafaelito Alejandro IV, tha se disa ndërtesa pësuan çarje në mure, përfshirë aeroportin ndërkombëtar në qytetin Davao, por ai mbeti funksional dhe asnjë fluturim nuk u anulua.
Qendra e Paralajmërimit për Cunami në Paqësor me seli në Honolulu tha se valë të vogla u regjistruan në brigjet e Filipineve dhe Indonezisë përpara se rreziku të kalonte, rreth dy orë pas tërmetit. Qendra paralajmëroi se luhatje të vogla të detit mund të vazhdojnë.
Paralajmërimi për cunami, i cili shkaktoi evakuime në gjashtë provinca bregdetare pranë Davao Oriental, më vonë u hoq pa u regjistruar valë të mëdha, tha shefi i Institutit të Sizmologjisë, Teresito Bacolcol.























