Ribashkimi i pengjeve izraelite me familjet pas më shumë se dy vjetësh
RTKlive
Pas më shumë se dy vjetësh në robëri, pengjet izraelite të mbajtura në Gaza janë liruar dhe janë ribashkuar me familjet e tyre, ndërsa qindra të burgosur palestinezë janë liruar paralelisht. Të gjithë pengjet e gjallë janë dërguar në spitalet izraelite për trajtim pas vlerësimeve fillestare mjekësore.
Fotografitë e publikuara nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) tregojnë momente emocionale të ribashkimit të tyre me familjet:
Matan Zangauker, 25 vjeç, u ribashkua me nënën e tij, Einav. Ai ishte marrë peng gjatë sulmeve të 7 tetorit bashkë me partneren e tij, Ilana Gritzewsky, nga Kibbutz Nir Oz. Ilana ishte liruar gjatë armëpushimit të nëntorit 2023.
Avinatan Or, 32 vjeç, u takua me prindërit e tij dhe partneren Noa Argamani. Çifti ishte rrëmbyer nga festivali i muzikës Nova dhe ishte ndarë menjëherë. Argamani ishte shpëtuar në qershor 2024 gjatë një operacioni ushtarak izraelit.
Yosef-Chaim Ohana, 24 vjeç, u ribashkua me nënën e tij, Miri Ben Ami. Ai ishte gjithashtu në festivalin Nova dhe, sipas dëshmive, kishte ndihmuar njerëzit të shpëtonin nga të shtënat përpara se të ikte vetë.
Nimrod Cohen, 21 vjeç, ishte ushtar i IDF-së kur tanku i tij u sulmua nga Hamasi në Nahal Oz. Ai u ribashkua me babanë Yehuda, nënën Viki, motrën binjake Romi dhe vëllain Yotam.
Evyatar David, 24 vjeç, ishte në festivalin Nova në mëngjesin e sulmeve. Familja e tij tha pas lirimit:“Që nga momenti i parë, e dinim që do të kthehej, dhe ja ku është, pas dy vjetësh vuajtje. Tani fillon një udhëtim i ri shërimi për Evyatarin dhe për ne. Dëshirojmë të falënderojmë popullin e Izraelit, forcat e sigurisë dhe ushtarët e IDF-së, që nuk u dorëzuan për pengjet.”
Një fotografi e publikuar nga Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe të Zhdukurve tregon momentin kur Evyatar David sheh miqtë e tij për herë të parë pas më shumë se dy vjetësh. Ai shihet me buzëqeshje të madhe, me duart në fytyrë nga emocionet, ndërsa miqtë e tij thërrasin: “Evyatar, je mbret!”
Ndërkohë, kongresisti republikan amerikan David Kustoff nga Tenesi e quajti lirimin e pengjeve “moment shprese” për hebrenjtë në SHBA.
“Ky është një lehtësim i madh dhe një moment shprese për popullin hebre në Amerikë,” tha ai, duke kujtuar kthimin e amerikanëve pas krizës së pengjeve në Iran.
“Këto pengje ishin mbajtur për 738 ditë. Imazhet që po shohim janë plot gëzim, dhe ne e festojmë këtë, duke vlerësuar gjithë punën e Presidentit Trump dhe ekipit të tij për bashkëpunimin me izraelitët dhe partnerët e tjerë,” tha ai për CNN.
Sipas Kustoff, lirimi i pengjeve dhe fjalimi i Presidentit Trump në Knessetin izraelit i japin komunitetit hebre amerikan “shpresë për të ardhmen”, pas një periudhe të rritur të antisemitizmit që pasoi sulmet e 7 tetorit 2023. 























