Presidenti libanez kërkon negociata me Izraelin
M.M./ RTKlive
Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, deklaroi të hënën se vendi i tij dhe Izraeli duhet të nisin negociata për të zgjidhur çështjet e hapura mes tyre, pasi lufta nuk solli asnjë rezultat pozitiv.
Komentet e presidentit Aoun erdhën pasi homologu i tij amerikan, Donald Trump, ndërmjetësoi një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, duke i dhënë fund luftës mbi dyvjeçare që kishte filluar më 7 tetor 2023, kur grupi militant palestinez kreu një sulm në jug të Izraelit, duke vrarë 1,200 persona dhe rrëmbyer 251 pengje, raporton AP.
Një ditë pas nisjes së luftës Izrael-Hamas, Hezbollahu i Libanit filloi të sulmonte postet ushtarake izraelite përgjatë kufirit, duke e quajtur këtë “front mbështetës” për Gazën. Konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut u përshkallëzua në luftime të plota gati një vit më vonë, gjatë të cilave grupi libanez pësoi humbje të mëdha dhe shumë nga komandantët e tij politikë e ushtarakë u vranë.
Që nga përfundimi i luftës 14-mujore mes Izraelit dhe Hezbollahut, me armëpushimin e ndërmjetësuar nga SHBA në nëntor, Izraeli ka kryer pothuajse çdo ditë sulme ajrore në Liban, duke shkaktuar dhjetëra viktima, shumë prej tyre civilë.
“Libani ka negociuar edhe më parë me Izraelin me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara,” tha Aoun, duke shtuar se këto bisedime çuan në marrëveshjen e vitit 2022 midis dy vendeve për kufirin detar.
“Çfarë e pengon që të përsëritet i njëjti proces për të gjetur zgjidhje për çështjet e mbetura, sidomos kur lufta nuk dha asnjë rezultat?” pyeti Aoun. Ai shtoi se atmosfera në Lindjen e Mesme është ajo e marrëveshjeve dhe e dialogut, dhe mënyra se si do të zhvillohen negociatat mund të vendoset në kohën e duhur.
“Kushtet po lëvizin drejt negociatave për të arritur paqe dhe stabilitet,” tha Aoun. “Prandaj themi se përmes dialogut dhe negociatave mund të arrihen zgjidhje.”
“Nuk mund të qëndrojmë jashtë procesit që po ndodh në rajon,” shtoi ai gjatë një takimi me një grup gazetarësh libanezë.























