Shefi i NATO-s bën shaka për nëndetësen “e çaluar” të Rusisë
BKT
Rajoni dhe Bota

Shefi i NATO-s bën shaka për nëndetësen “e çaluar” të Rusisë

M.M./ RTKlive

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, bëri shaka të hënën për gjendjen e flotës detare ruse, pasi Moska mohoi se një nga nëndetëset e saj ishte detyruar të dilte në sipërfaqe për shkak të problemeve teknike.

Flota Detare e Detit të Zi e Rusisë tha se nëndetësja me naftë Novorossiysk kishte dalë në sipërfaqe pranë brigjeve të Francës për t’u përputhur me rregullat e lundrimit në Kanalin Anglez, ku u ndoq nga një anije luftarake dhe një helikopter britanik, raporton BBCNews.

Autoritetet holandeze kishin thënë të shtunën se nëndetësja ishte duke u tërhequr me litar në Detin e Veriut.

“Çfarë ndryshimi nga romani i Tom Clancy-t i vitit 1984 Gjuetia për Tetorin e Kuq. Sot duket më shumë si gjuetia për mekanikun më të afërt,” tha Rutte gjatë një fjalimi në Slloveni, duke përshkruar anijen e “prishur” që “çalon” drejt shtëpisë.

Rutte shtoi se “nuk ka pothuajse më asnjë prani detare ruse në Mesdhe”.

Kanali Telegram VChK-OGPU, i cili publikon rrjedhje të mundshme nga shërbimet ruse të sigurisë, raportoi më 27 shtator se në ngushticën e Gjibraltarit kishte rrjedhje karburanti në brendësi të Novorossiysk, duke rritur rrezikun e një shpërthimi.

Ndërsa nëndetësja po kthehej nga një mision në Mesdhe, Marina Mbretërore Britanike tha se e kishte ndjekur për tre ditë, nga 7 deri më 9 tetor.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota