Shkëmbehen pengjet e fundit izraelite me të burgosurit palestinezë
Dardan Ramabaja / RTK
Hamasi liroi pengjet e fundit izraelite të gjalla nga Gaza të hënën sipas marrëveshjes së armëpushimit përderisa Izraeli dërgoi në shtëpi autobusë plot me të burgosur palestinezë, duke bërë që Presidenti amerikan Donald Trump të shpallë fundin e luftës dyvjeçare që ka tronditur Lindjen e Mesme në përgjithësi.
Orë më vonë, Trump mblodhi udhëheqësit myslimanë dhe evropianë në Egjipt për të diskutuar të ardhmen e Rripit të Gazës dhe mundësinë e një paqeje më të gjerë rajonale, edhe pse Hamasi dhe Izraeli, që mungojnë në takim, ende nuk janë dakordësuar për hapat e mëtejshëm.
Ushtria izraelite tha se kishte marrë të 20 pengjet e konfirmuara si gjallë, pas transferimit të tyre nga Gaza nga Kryqi i Kuq. Njoftimi shkaktoi brohoritje, përqafime dhe lot midis mijëra njerëzve që prisnin në "Sheshin e Pengjeve" në Tel Aviv.
Në Gaza, mijëra të afërm, shumë prej të cilëve qanin nga gëzimi, u mblodhën në një spital ku autobusët sollën në shtëpi disa nga gati 2,000 të burgosurit dhe të paraburgosurit palestinezë që do të liroheshin nga Izraeli si pjesë e marrëveshjes.
SHBA-të, së bashku me Egjiptin, Katarin dhe Turqinë, ndërmjetësuan atë që është përshkruar si një marrëveshje e fazës së parë midis Izraelit dhe Hamasit për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve nga Hamasi dhe të burgosurve dhe të paraburgosurve nga Izraeli.
Në plazhin turistik egjiptian të Sharm el-Sheikh më vonë të hënën, Trump dhe Presidenti Abdel Fattah al-Sisi pritën më shumë se 20 udhëheqës botërorë për një samit që synonte të çimentonte armëpushimin.
Në hapje të samitit, Trump nënshkroi një dokument me udhëheqësit e Egjiptit, Katarit dhe Turqisë duke mirëpritur marrëveshjet për Gazën dhe duke u zotuar të "punojnë së bashku për të zbatuar dhe mbështetur këtë trashëgimi".
Presidenca e Egjiptit tha se diskutimet përfshinin qeverisjen, sigurinë dhe rindërtimin e Gazës.
"Tani fillon rindërtimi", tha Trump në samit, duke mbajtur një fjalim të gjerë ku e përshkroi me terma madhështorë marrëveshjen e Gazës që ai ndihmoi të ndërmjetësohej, duke thënë se mund të jetë "marrëveshja më e madhe nga të gjitha".
Izraeli dhe Hamasi nuk u përfaqësuan në samit, ndërsa udhëheqësit e Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe nuk morën pjesë.
Trump në një moment përshëndeti Presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, i cili i foli gjatë udhëheqësit të SHBA-së. Autoriteti Palestinez dëshiron të luajë një rol të rëndësishëm në administrimin e ardhshëm të Gazës, pavarësisht kundërshtimeve nga Izraeli.























