Sulmet ruse paralizojnë rrjetin energjetik të Ukrainës
Bardhyl Bajrami / RTK
Ukraina po detyrohet të vendosë reduktime të energjisë elektrike në shumicën e rajoneve të vendit për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Rusisë ndaj sistemit energjetik.
Ministria ukrainase e Energjisë ka bërë të ditur se, përveç dy rajoneve, të gjitha rajonet e tjera janë prekur nga ndërprerjet.
"Ukrenergo", operatori i rrjetit energjetik të Ukrainës, ka njoftuar se punime emergjente po zhvillohen në të gjitha zonat e goditura nga sulmet, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që, aty ku ka furnizim me energji, ta shpenzojnë në mënyrë racionale.
Rusia, përveç sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike, po intensifikon edhe goditjet mbi rrjetin hekurudhor të Ukrainës. Ndërkohë, edhe forcat ukrainase kanë shtuar sulmet mbi rafineritë ruse të naftës, jo vetëm në rajonet kufitare, por edhe më në brendësi të territorit rus.
Prej tre ditësh, një depo karburantesh në Gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia në vitin 2014, vazhdon të digjet pas një sulmi me dron të ushtrisë ukrainase i dyti brenda pak javësh.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës ka konfirmuar se 15 rezervuarë të mëdhenj nafte janë dëmtuar dhe se zjarri ende nuk është vënë nën kontroll.
Ky do të jetë dimri i katërt radhazi që ukrainasit përballen me reduktime të energjisë elektrike, si pasojë e sulmeve të përsëritura ruse mbi infrastrukturën jetike të vendit.























