Trumpi dhe Putini do të takohen në Budapest për bisedime
Atsh
(E përditësuar) Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, janë pajtuar për t’u takuar në Budapest të Hungarisë, pas një bisede telefonike që e zhvilluan të enjten, një ditë para vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Uashington.
“U pajtuam që javën e ardhshme të zhvillohet një takim i këshilltarëve tanë të nivelit të lartë… Presidenti Putin dhe unë më pas do të takohemi në vendin për të cilin u morëm vesh, pra në Budapest, Hungari”, shkroi Trump të enjten në mbrëmje në platformën e tij Truth Social.
Trumpi shtoi se do të takohet me Putinin në Budapest “për të parë nëse mund ta përfundojmë këtë luftë ‘të palavdishme’ midis Rusisë dhe Ukrainës”.
Trump do të takohet me Putinin në Hungari, përpjekje për fundin e luftës
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha sot se synon të takohet me presidentin rus Vladimir Putin në Hungari, në javët e ardhshme për të diskutuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, sipas “The Hill”.
Trump e bëri njoftimin pas një telefonate të gjatë me Putinin.
“Në përfundim të telefonatës, ne ramë dakord që javën e ardhshme do të ketë një takim të Këshilltarëve tanë të Nivelit të Lartë. Takimet fillestare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të drejtohen nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, së bashku me përfaqësues të tjerë të ndryshëm, që do të caktohen. Vendtakimi pritet të caktohet”, postoi Trump në “Truth Social”.
“Presidenti Putin dhe unë do të takohemi më pas në një vend të rënë dakord, Budapest, Hungari, për të parë nëse mund t’i japim fund kësaj Lufte “të palavdishme” midis Rusisë dhe Ukrainës”, shtoi Trump.
Trump tha se telefonata e tij me Putinin ishte “shumë produktive” dhe se ai besonte se ishte bëre progres thelbësor me bisedën telefonike të sotme.
Të dy udhëheqësit u takuan në Alaskë në gusht. Ky samit nuk rezultoi në fund të fundit në ndonjë lëvizje drejt paqes.
Zelensky do të vizitojë nesër Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Trump do të shqyrtojë mundësinë për miratimin e furnizimit të raketave “Tomahawk” për Ukrainën.
Raketat me rreze të gjatë veprimi mund të përdoren për të nisur sulme brenda Rusisë, dhe nëse SHBA-ja lejon furnizimin e armëve, kjo do të shënonte një nivel të ri mbështetjeje nga administrata amerikane për Ukrainën.























