Trump takon Zelenskyn, heziton t’i dërgojë Ukrainës raketat Tomahawk
BKT
Foto: AP
Rajoni dhe Bota

Trump takon Zelenskyn, heziton t’i dërgojë Ukrainës raketat Tomahawk

RTKlive

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se shpreson që lufta në Ukrainë të përfundojë pa qenë nevoja që SHBA të dërgojë raketat amerikane Tomahawk në Kiev. Këto komente ai i bëri në Shtëpinë e Bardhë, gjatë takimit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ku të dy liderët diskutuan për ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës dhe situatën në frontin lindor.

“Shpresoj që të arrijmë ta përfundojmë këtë luftë pa menduar për Tomahawks,” tha Trump, duke theksuar se dëshiron të fokusohet në përfundimin e konfliktit sesa në dërgimin e armatimit shtesë.

Ai theksoi se raketat Tomahawk, të cilat Kievi i ka kërkuar prej javësh, janë të vështira për t’u prodhuar dhe SHBA ka një sasi të kufizuar të tyre.

“Këto janë armë shumë të fuqishme, por është e vështirë t’i prodhosh dhe duan kohë. Unë kam detyrim që vendi im të ketë rezervat e plota, sepse kurrë nuk e di kur do të duhen,” shtoi presidenti amerikan.

Nga ana e tij, Zelenskyy propozoi një marrëveshje shkëmbimi mes dy vendeve, duke thënë se Ukraina mund të ofrojë dronë për SHBA-në në këmbim të raketave që kërkon.

“Ne prodhojmë shumë dronë dhe mund t’i shesim Amerikës. Ata kanë qenë shumë efektivë në fushëbetejë,” tha presidenti ukrainas.

Trump u shpreh i hapur për këtë ide, por theksoi se një marrëveshje e tillë do të kërkonte diskutime të mëtejshme.

“Do të ishim të interesuar për dronët ukrainas. Ne ndërtojmë dronët tanë, por blejmë edhe nga të tjerët. Ata bëjnë dronë shumë të mirë,” tha ai.

Pas deklaratave për media, dy liderët zhvilluan një takim me dyer të mbyllura dhe darkë pune, ku kanë diskutuar edhe për takimin e ardhshëm të Trump me presidentin rus, Vladimir Putin, që pritet të mbahet në Hungari.

Në fund të vizitës, Zelenskyy u largua nga Shtëpia e Bardhë për të mbajtur një konferencë për shtyp, ndërsa Trump u nis drejt rezidencës së tij në Mar-a-Lago. (Burimi Euro News) 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota