Thyhet armëpushimi Afganistan-Pakistan, priten negociata të reja
BKT
Rajoni dhe Bota

Thyhet armëpushimi Afganistan-Pakistan, priten negociata të reja

RTKlive

Pas prishjes së armëpushimit të tyre, zyrtarët afganë dhe pakistanezë do të fillojnë negociatat në Katar të shtunën, me shpresën për t’i dhënë fund armiqësive që kanë shkaktuar dhjetëra të vdekur.

Diplomacia pakistaneze njoftoi se diskutimet do të përqendrohen në masat e menjëhershme për të ndaluar terrorizmin ndërkufitar që buron nga Afganistani drejt Pakistanit dhe për të rivendosur paqen dhe stabilitetin përgjatë kufirit. Secila palë do të përfaqësohet nga ministri i vet i mbrojtjes. Ende nuk është konfirmuar nëse Katari do të jetë mikpritës i bisedimeve.

Qeveria talebane në Afganistan akuzoi Pakistanin për shkelje të armëpushimit, pas sulmeve që vranë të paktën 10 civilë në provincën lindore të Paktikës. “Afganistani beson në një zgjidhje paqësore dhe siguri rajonale, por gjithçka ndodhi për shkak të agresionit të Pakistanit”, deklaruan autoritetet talebane në Kabul.

Zëdhënësi taleban, Zabihullah Mujahid, tha se qeveria rezervon të drejtën për t’u përgjigjur, por forcat afgane duhet të përmbahen nga veprime të mëtejshme “nga respekti për ekipin negociator”.

Armëpushimi ishte njoftuar të mërkurën, me Islamabadin që deklaroi se do të zgjaste 48 orë, ndërsa Afganistani tha se do të mbetej në fuqi derisa të shkelej nga pala kundërshtare.

Funeralet e civilëve të vrarë të premten në lagjen Urgun të Paktikës u ndoqën nga qindra qytetarë. Zyrtarët lokalë shprehen se shpresojnë për një armëpushim të përhershëm dhe rifillimin e jetës normale dhe të tregtisë, megjithëse frika mbetet e madhe pas përleshjeve.

Përshkallëzimi ushtarak i kësaj jave është pjesë e tensioneve të përsëritura midis dy vendeve, të nxitura nga çështjet e migracionit dhe sigurisë. Pakistan akuzon Afganistanin për strehim të grupeve terroriste të udhëhequra nga talebanët pakistanezë (TTP), një pretendim që Kabuli e mohon.

Shefi i Shtabit të Ushtrisë Pakistaneze, Syed Asim Munir, shtoi se Kabuli duhet të rimarrë kontrollin mbi militantët që përdorin tokën afgane për sulme kundër Pakistanit. Zëvendësministri i Brendshëm afgan, Mohammed Nabi Omari, mohoi çdo lidhje me TTP-në, duke theksuar se Afganistani nuk ka mbështetur asnjëherë këtë grup.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota