Aeroplani transportues del nga pista në Hong Kong, vdesin 2 persona
M.M./ RTKlive
Një aeroplan ngarkesash doli nga pista e aeroportit të Hong Kongut dhe u përplas me një makinë patrulle sigurie, përpara se të dyja të përfundonin në det, duke shkaktuar vdekjen e dy personave në makinë, njoftuan autoritetet. Katër anëtarët e ekuipazhit të avionit nuk pësuan lëndime.
Avioni Boeing 747, i operuar nga kompania turke ACT Airlines, po ulej në Aeroportin Ndërkombëtar të Hong Kongut rreth orës 3:50 të mëngjesit, pas fluturimit nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe. Avioni ishte me qira nga Emirates, një kompani ajrore me bazë në Dubai, njofton AP.
Kapitenët nuk kishin kërkuar ndihmë përpara uljes dhe kishin lëvizur rreth gjysmën e pistës përpara se të rrëshqisnin jashtë saj në të majtë, tha Steven Yiu, drejtor ekzekutiv për operacionet aeroportuale në Autoritetin e Aeroportit, gjatë një konference për shtyp.
“Makina e patrullës absolutisht nuk hyri në pistë. Ishte avioni që doli nga pista dhe u përplas me makinën e patrullës jashtë rrethojës,” tha ai.
Kur ekipet e shpëtimit arritën në vendngjarje, avioni ishte i thyer në dy pjesë, duke notuar në det, dhe katër anëtarët e ekuipazhit po prisnin të shpëtoheshin në derën e hapur të tij, tha zyrtari i shërbimeve zjarrfikëse, Yiu Men-yeung.
Katër anëtarët e ekuipazhit nuk kishin lëndime të dukshme, tha Tong Sze-ho, ndihmës kryesor i përkohshëm i shërbimit të ambulancës të departamentit të zjarrfikësve.























