Rodrigo Paz fiton balotazhin për president në Bolivi
M.M./ RTKlive
Rodrigo Paz, një senator i partisë së Qendrës, që deri tani nuk kishte qenë figurë e njohur në nivel kombëtar, fitoi zgjedhjet presidenciale në Bolivi të dielën, sipas rezultateve paraprake, duke mobilizuar votuesit e zemëruar nga kriza ekonomike e vendit dhe të lodhur pas 20 vjetësh qeverisjeje nga partia Lëvizja për Socializëm (MAS).
“Tendenca është e pakthyeshme”, tha Óscar Hassenteufel, kryetari i Tribunalit të Lartë Zgjedhor, duke iu referuar epërsisë së Paz ndaj rivalit të tij, ish-presidentit të djathtë Jorge “Tuto” Quiroga.
Sipas rezultateve të para, Paz fitoi 54% të votave kundrejt 45% të Quirogës.
“Sot, Bolivia mund të jetë e sigurt se ky do të jetë një qeverisje që do të sjellë zgjidhje,” u tha ai mbështetësve të tij. “Bolivia po frymon erërat e ndryshimit dhe rinovimit për të ecur përpara”, raporton AP.
Pak pasi u shpallën rezultatet, Quiroga e pranoi humbjen ndaj Pazit.
“I kam telefonuar Rodrigo Pazit dhe i kam uruar fitoren,” tha ai në një fjalim të zymtë, duke nxitur fishkëllima dhe britma “mashtrim” nga audienca. Por Quiroga bëri thirrje për qetësi, duke thënë se mosnjohja e rezultateve do të “linte vendin pezull.”
“Do të thellonim vetëm problemet e njerëzve që vuajnë nga kriza,” tha ai. “Na duhet një qëndrim i pjekur tani.”
Paz dhe kandidati i tij për zëvendëspresident, ish-kapiteni i policisë Edman Lara, fituan mbështetje tek votuesit e klasës punëtore dhe zonave rurale, të zhgënjyer nga shpenzimet e pakontrolluara të partisë që qeverisi gjatë, Lëvizja për Socializëm (MAS), por edhe skeptikë ndaj kthesës së ashpër të Quirogës kundër mbrojtjeve sociale.























