Sulm me dron pranë aeroportit të Sudanit
M.M./ RTKlive
Një sulm me dron ka goditur një zonë pranë aeroportit ndërkombëtar në kryeqytetin e Sudanit, Kartum, një ditë para se të rifillonin fluturimet e brendshme për herë të parë që nga shpërthimi i luftës në vitin 2023.
Banorët e qytetit raportuan se kanë dëgjuar shpërthime në disa lagje herët në mëngjesin e së martës.
Nuk ka informacion për viktima apo dëme dhe asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Të hënën, Autoriteti i Aviacionit Civil të Sudanit kishte njoftuar se aeroporti do të rihapej të mërkurën, disa muaj pasi ushtria rimori kontrollin e Kartumit nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) dhe filloi riparimin e aeroportit, i cili ishte dëmtuar rëndë, raporton BBCNews.
Sulmi i së martës ishte i treti brenda një jave në kryeqytet, pas dy goditjeve ndaj bazave ushtarake në veriperëndim të Kartumit javën e kaluar.
Sipas faqes së lajmeve ‘Sudan Tribune’, një burim sigurie ka thënë se mbrojtja kundërajrore kishte rrëzuar disa dronë pas orës 04:00 me orën lokale (02:00 GMT), por nuk dha detaje për dëmet e mundshme.
Aeroporti ndërkombëtar u mbyll pak pas shpërthimit të luftimeve midis ushtrisë dhe RSF-së në prill të vitit 2023, kur forcat paramilitare morën kontrollin e tij.
Kartumi ka qenë relativisht i qetë që nga marsi, kur ushtria rimori qytetin, por sulmet kanë vazhduar, me RSF-në të akuzuar për goditje ndaj infrastrukturës civile dhe ushtarake nga distanca.
Që pas humbjes së kryeqytetit, RSF ka intensifikuar përpjekjet për të marrë kontrollin e qytetit el-Fasher – bastioni i fundit i ushtrisë në rajonin perëndimor të Darfurit.
Konflikti i vazhdueshëm ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra personave dhe ka detyruar miliona të largohen nga shtëpitë e tyre.
Ajo që nisi si një luftë për pushtet midis ushtrisë dhe RSF-së, tashmë ka përfshirë grupe të tjera të armatosura sudaneze dhe mbështetës të huaj, duke e zhytur vendin në atë që OKB e ka quajtur kriza më e rëndë humanitare në botë.























