SHBA godet anije droge në Paqësor, dy të vrarë
M.M./ RTKlive
Forcat amerikane kanë goditur një tjetër anije të dyshuar se transportonte drogë, këtë herë në ujërat e Oqeanit Paqësor, ka konfirmuar Pentagoni.
Sipas sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, dy persona në bordin e anijes u vranë, ndërsa asnjë nga trupat amerikane nuk u lëndua.
Anija ishte e njohur për shërbimet e inteligjencës amerikane dhe dyshohej se po transportonte drogë përgjatë një rruge të njohur trafikimi në ujërat ndërkombëtare, shtoi Hegseth, raporton BBCNews.
Ky sulm shënon goditjen e tetë të SHBA-së ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge që nga 2 shtatori, por të parën në Paqësor.
Pamjet e sulmit duket se tregojnë një varkë të gjatë blu që lëvizte në ujë, përpara se të goditej nga armët amerikane.
“Narko-terroristët që synojnë të sjellin helm në brigjet tona nuk do të gjejnë strehë të sigurt askund në hemisferën tonë,” shkroi Hegseth në platformën X. “Ashtu si Al Qaeda që zhvilloi luftë kundër atdheut tonë, këto kartele po zhvillojnë luftë kundër kufirit dhe popullit tonë.”
“Nuk do të ketë as strehë, as falje – vetëm drejtësi,” shtoi ai.
Në një memo të rrjedhur së fundmi dërguar ligjvënësve amerikanë, administrata Trump ka deklaruar se e konsideron veten të përfshirë në një “konflikt të armatosur jo-ndërkombëtar” me organizatat e trafikut të drogës.
Të paktën 34 persona janë vrarë në sulmet amerikane ndaj anijeve të dyshuara për drogë, përfshirë edhe një sulm të fundit ndaj një mjeti gjysmë-nënujës në Karaibe.























