Koreja e Veriut teston sistem të ri raketor hipersonik
M.M./ RTKlive
Korea e Veriut deklaroi të enjten se testet e saj të fundit me raketa përfshijnë një sistem të ri hipersonik, i cili synon forcimin e aftësisë parandaluese bërthamore, ndërsa udhëheqësi Kim Jong Un vazhdon të ndërtojë armë të projektuara për të tejkaluar mbrojtjen e Koresë së Jugut.
Raporti nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA), agjencia zyrtare e Phenianit, erdhi një ditë pasi ushtria e Koresë së Jugut tha se kishte zbuluar lëshimin e disa raketave nga një zonë në jug të kryeqytetit, Phenian. Raketat fluturuan rreth 350 kilometra në drejtim verilindor përpara se të binin në tokë.
Testet u kryen disa ditë përpara se udhëheqësit botërorë, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump dhe presidentin kinez Xi Jinping, të mblidhen në Korenë e Jugut rivale për takimin vjetor të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), raporton AP.
Forcat Amerikane në Korenë e Jugut thanë në një deklaratë se janë “plotësisht të vetëdijshme” për lëshimet balistike të Koresë së Veriut dhe “përpjekjet e saj të pandërprera për zhvillimin e raketave me rreze të gjatë.” Ato i bënë thirrje Phenianit të përmbahet nga “veprimet e paligjshme dhe destabilizuese” që shkelin sanksionet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke shtuar se angazhimi i SHBA-së ndaj aleancës me Seulin mbetet “i pathyeshëm.”























