SHBA sanksionon kompanitë ruse të naftës, BE miraton pakon e re
Bardhyl Bajrami/RTK
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë, duke goditur dy kompanitë më të mëdha të naftës. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se presidenti rus Vladimir Putin po tregohet “joserioz” në përpjekjet për paqe. Edhe Bashkimi Evropian ka miratuar një pako të re masash ndëshkuese, që përfshijnë ndalimin e importit të gazit të lëngshëm natyror nga Rusia dhe kufizime të reja financiare ndaj kompanive ruse të energjisë.
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, duke goditur dy kompanitë më të mëdha të naftës, “Rosneft” dhe “Lukoil”, si formë presioni ndaj Moskës për ta detyruar të negociojë dhe të pranojë armëpushimin në Ukrainë.
Njoftimi për sanksionet e reja u bë menjëherë pas anulimit të takimit të mundshëm mes dy presidentëve në Hungari në ditët në vijim, ndërkohë që Rusia ndërmori sulme të ashpra pothuajse në gjithë territorin e Ukrainës. Presidenti Trump, pas bisedimeve që pati me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, lidhur me negociatat për paqe, tha se “çdoherë kur flas me presidentin rus, kemi një bisedë të mirë, por më pas ato nuk çojnë askund”.
Gjatë bisedës në Zyrën Ovale me sekretarin Rutte, presidenti Trump e kritikoi presidentin Putin si joserioz për arritjen e paqes dhe tha se shpreson që sanksionet e reja do ta detyrojnë Moskën të bëjë përparim në negociata. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se sanksionet e reja ishin të nevojshme për shkak të refuzimit të presidentit rus për t’i dhënë fund “kësaj lufte të pakuptimtë”. “Këto kompani të naftës financojnë makinën luftarake të Kremlinit,” ka thënë Bessent.
Javën e kaluar, sanksione ndaj kompanive “Lukoil” dhe “Rosneft” ka vendosur edhe Mbretëria e Bashkuar. Në reagim, ambasada ruse në Londër tha se këto masa do të tronditin furnizimet me karburant në tregun global dhe do të rrisin çmimet në mbarë botën.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një postim në rrjetet sociale, ka shkruar se të mërkurën ka biseduar me sekretarin amerikan të Thesarit lidhur me mungesën e angazhimit të Rusisë në procesin e paqes.
Ajo ka përshëndetur gjithashtu pakon e re të sanksioneve të BE-së, të miratuara të mërkurën, të cilat përfshijnë ndalimin e importit të gazit të lëngshëm natyror nga Rusia. Dy kompanitë ruse të sanksionuara eksportojnë rreth 3.1 milion fuçi naftë në ditë, sipas të dhënave zyrtare.























