Rusia paralajmëron përgjigje nëse BE konfiskon asetet e saj
BKT
Rajoni dhe Bota

Rusia paralajmëron përgjigje nëse BE konfiskon asetet e saj

M.M./ RTKlive

`Çdo veprim i Bashkimit Evropian për të konfiskuar asetet ruse në llogaritë e ‘Euroclear’ do të sjellë një “përgjigje të dhimbshme” nga Rusia`, deklaroi të enjten zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

“Së pari, BE nuk ka mjete ligjore për të sekuestruar asetet ruse, prandaj një konfiskim i tillë do të ishte ‘vjedhje’,” tha Zakharova.

Një propozim nga Komisioni Evropian për të përdorur asetet ruse të ngrira në Evropë për të siguruar një “huadhënie riparimi” prej 140 miliardë eurosh për Ukrainën, do të diskutohet të enjten, raporton ‘The Guardian.

Sipas planit, BE do të përdorte bilancet në para të aseteve të ngrira të bankës qendrore ruse për t’i dhënë mbështetje Kievit, duke mbuluar një pjesë të madhe të nevojave të tij financiare për vitet 2026 dhe 2027.

Por çfarë mendojnë vendet anëtare të bllokut me 27 shtete?

Kryeministri belg, Bart De Wever, ka thënë se do ta kundërshtojë masën derisa të sigurohen garanci mbi përdorimin e aseteve të ngrira ruse. Ai, vendi i të cilit është selia e ‘Euroclear’, institucioni kryesor që mban këto asete, shtoi se nuk sheh ende bazë ligjore për një vendim të tillë dhe kujtoi se as asetet e ngrira nuk u prekën gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, tha të enjten se ndan shqetësimet e tij me kryeministrit belg, por theksoi se është i bindur se do të bëhet përparim.

Kryeministri finlandez, Petteri Orpo, duke marrë parasysh shqetësimet e Belgjikës u shpreh se “ekziston një zgjidhje në tryezë, ligjërisht e qëndrueshme”.

Ndërsa kryeministri suedez, Ulf Kristersson, tha se nuk do ta quante fitore derisa të ketë përfunduar, por, u shpreh ai, sheh një mbështetje shumë të gjerë për përdorimin e aseteve të ngrira ruse”.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota