Drita do të bëjë paraqitje të mirë ndaj Omonia-s, thonë analistët e RTK-së
BKT
Sport

Drita do të bëjë paraqitje të mirë ndaj Omonia-s, thonë analistët e RTK-së

F.B/RTKLive

Më pak se një orë ka mbetur deri tek fillimi i ndeshjes mes Dritës dhe Omonia-s së Qipros, ndeshje që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Kampionia e Kosovës dhe skuadra qipriotë do të ndeshen sonte në ‘Fadil Vokrri’ në ndeshjen e fazës së grupeve të Ligës së Konferencës.

Drita pas barazimit të vlefshëm në ndeshjen e parë ndaj KUPS në Finlandë, do ta zhvillojë përballjen e parë në shtëpi në këtë garë prestigjioze.

Ekipi i drejtuar nga Zekirija Ramadani synon të marrë një rezultat pozitiv, pavarësisht faktit se skuadra qipriotë vlerësohet favorite në letër.

Analistët e RTK-së, mendojnë se dueli mes skuadrës gjilanase dhe asaj qipriote, do të sjellë një sfidë interesante.

Muhamet Dragusha, trajner i njohur në futbollin kosovar mendon se dueli mes Dritës dhe Omonia, do të sjellë një sfidë të fortë dhe interesante. Ai thotë se skuadra qipriote është ekip i fortë, por Dragusha beson se Drita sonte do të bëjë paraqitje të mirë dhe do të marrë rezultat pozitiv.

“Jam i kënaqur me rrugëtimin e Dritës. Tri herë merr pjesë në Evropa, është kënaqësi dhe kjo e bën Dritën të veçantë në futbollin e Kosovës”, ka thënë Dragusha.

“Shpresoj se Drita edhe sonte do të vazhdojë më lojën e mirë. Tash garon në grupet Ligës së Konferencës që është diçka e madhe. Sigurisht se sonte është një kundërshtarë i fortë. Kujtojmë se Omonia ka luajtur me Leipzing, pra bëhet fjalë për një skuadër të fortë. Sonte nuk ka nevojë për motivim sepse vet gara tregon se ku luan. Nëse drita vazhdon më lojë të bukur besoj se mund të dal me rezultat pozitiv”, theksoi Dragusha.

Paraqitje të mirë të Dritës në duel me Omonia-n pret edhe ish-futbollisti i njohur, Genc Sermaxhaj.

“Besoj s klubi i Dritës ka bërë analizat e duhura për këtë ndeshje. Omonia është ekip shumë i organizuar, sidomos në repartin e mbrojtës dhe sulmit. Drita duhet të kujdes të shtuar, sepse Omonia ka përvojë të madhe në Evropë, por besoj se Drita është përgatitur mirë për këtë ndeshje. Shpresoj se Drita të bëjë paraqitje të mirë dhe të marrë rezultat pozitiv”, ka theksuar Sermaxhaj.

Ndeshja mes Dritës dhe Omonia-s fillon në orën 18:45.