Dy avionë ushtarakë rusë hyjnë në hapësirën ajrore të Lituanisë
RTKlive
Dy avionë ushtarakë rusë hynë në hapësirën ajrore të Lituanisë të enjten për rreth 18 sekonda, njoftoi ushtria e vendit. Të dy avionët, një Su-30 luftarak dhe një Il-78 për furnizim me karburant, besohet se ishin në një mision trajnimi kur kaluan kufirin nga enklava ruse e Kaliningradit rreth orës 16:00 CET.
Avionë Eurofighter Typhoon spanjollë nga policia ajrore e NATO-s në Baltik u ngritën dhe po patrullojnë zonën.
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, e quajti këtë një “shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare dhe të integritetit territorial” dhe tha se vendi duhet të reagojë. Nuk pati një koment të menjëhershëm nga Moska.
Si NATO-ja ashtu edhe Bashkimi Evropian janë në gatishmëri të lartë pas një serie shkeljesh të hapësirës ajrore, të cilat besohet se kanë ardhur nga Rusia. Pas një incidenti në Poloni më 10 shtator dhe depërtimit të avionëve rusë në Estoni, NATO ka paralajmëruar Moskën se do të përdorë të gjitha mjetet për të mbrojtur hapësirën ajrore.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca do të përdorë të gjitha mjetet për të mbrojtur veten dhe për të frenuar kërcënimet. Ai njoftoi krijimin e programit “Eastern Sentry” për të treguar solidaritet me Poloninë dhe për të parandaluar depërtimet ruse.
Incidente të tjera janë raportuar në Danimarkë dhe Norvegji, ku aeroportet u mbyllën për shkak të dronëve të dyshuar. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i quajti akuzat “të pabazuara”, ndërsa autoritetet norvegjeze thanë se shkeljet nuk janë të pranueshme. (Burimi: Euronews)























