Trump: Putin duhet t`i japë fund luftës në Ukrainë, jo të testojë raketa
RTKLive
Presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar të papërshtatshëm njoftimin e homologut rus, Vladimir Putin, lidhur me testin e suksesshëm të një rakete bërthamore ruse.
“S’është e përshtatshme që Putin ta deklarojë këtë. Ai duhet të ndalojë luftën në Ukrainë. Kjo luftë, e nisur si një operacion njëjavor, po hyn në vitin e saj të katërt. Kjo është ajo me të cilën duhet të merret, jo me testime raketash,” tha Trump, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, presidenti rus ka deklaruar se raketa “Burevestnik” është një krijim unik, i pashembullt në botë, me rreze veprimi të pakufizuar. Sipas kreut të Shtabit të Përgjithshëm Rus, Valery Gerasimov, gjatë testit të fundit më 21 tetor, raketa qëndroi rreth 15 orë në ajër dhe përshkoi mbi 14 000 kilometra.
Trump ka theksuar gjithashtu: “Ata e dinë që ne kemi një nëndetëse bërthamore, më të mirën në botë, pranë brigjeve të tyre.”
Marrëdhëniet mes dy liderëve mbeten të paqëndrueshme. Pasi përmendi një takim të mundshëm me Putinin në Budapest, Hungari, Trump u tërhoq, duke theksuar se nuk do të planifikonte asnjë takim tjetër pa një marrëveshje konkrete për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë.
Ndërkohë, SHBA njoftuan javën e kaluar sanksione kundër dy gjigantëve rusë të naftës, “Rosneft” dhe “Lukoil” — masat e para të rëndësishme të ndërmarra nga administrata e Trump kundër Rusisë që nga rikthimi i tij në pushtet.























