Xhamajka përgatitet për uraganin `Melissa`
Luan Qorraj /RTK
Zyrtarët xhamajkanë kanë urdhëruar evakuim emergjent të pjesëve bregdetare të vendit në pritje të arritjes së uraganit ‘Melissa’, i cili, sipas meteorologëve, mund të jetë shtrëngata më e fuqishme që ndonjëherë e ka goditur këtë ishull.
Autoritetet dhe popullata në Xhamajkë janë duke u përgatitur për arritjen e uraganit ‘Melissa’, i cili gjatë fundjavës ka rritur fuqinë duke u bërë shtrëngatë e kategorisë së pestë e cila, sipas meteorologëve, do të mund të jetë shtrëngata më e fuqishme, e cila ka goditur këtë ishull ndonjëherë.
Zyrtarët tanimë kanë urdhëruar evakuim të detyrueshëm të banorëve të brigjeve bregdetare, si dhe një pjese të kryeqytetit Kingston përderisa i kanë këshilluar banorët e pjesëve tjera të gjejnë vende të sigurta nga erërat, fuqia e të cilave do të tejkalojë 250 kilometra në orë dhe kanë shpallur tërë territorin e ishullit si "zonë të rrezikut".
Edhe pse ‘Melissa’ tanimë ka shkaktuar së paku 4 viktima në Haiti dhe Republikën Dominikane, ekspertët kanë njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit, përderisa i afrohet Xhamaikës, kjo shtrëngatë ka dyfishuar fuqinë, ndërsa ekziston rreziku që do të fuqizohet edhe më tej.
Përveç erërave me fuqi katastrofike, për shkak të lëvizjes së ngadalshme, kjo shtrëngatë do të sjellë edhe sasi të mëdha të të reshurave, të cilat pritet të shkaktojnë vërshime dhe rrëshqitje masive të dheut në pjesët e ndryshme të vendit.























