Sudani përzë zyrtarët e OKB-së mes urisë masive
M.M./ RTKlive
Qeveria ushtarake e Sudanit ka urdhëruar dy zyrtarë të lartë të Programit Botëror të Ushqimit (WFP) të OKB-së të largohen nga vendi, në një kohë kur uria është përhapur gjerësisht për shkak të një lufte të ashpër civile, e cila shpërtheu në prill të vitit 2023.
WFP tha se drejtorët e operacionit të saj në Sudan janë shpallur “persona non grata” dhe u është thënë të largohen brenda 72 orëve, pa asnjë shpjegim.
Vendimi vjen disa ditë pasi forcat paramilitare të Rapid Support Forces (RSF) morën nën kontroll qytetin kyç el-Fasher në Darfur nga ushtria pas një rrethimi 18-mujor, i cili përfshinte edhe një bllokadë ushqimore, raporton BBCNews.
WFP deklaroi se dëbimet po ndodhin në një “kohë vendimtare”, pasi nevojat humanitare në Sudan “nuk kanë qenë kurrë më të mëdha me mbi 24 milionë njerëz që përballen me pasiguri akute ushqimore”.
Megjithëse qeveria ushtarake nuk ka dhënë arsye për dëbimet, ajo më parë ka akuzuar organizatat humanitare për shkelje të ligjeve vendore dhe publikim të raporteve të pasakta për kushtet e urisë.
Agjencia shtetërore e lajmeve Suna raportoi se qeveria ka thënë se dëbimi nuk do të ndikojë në bashkëpunimin e vendit me WFP-në.
WFP tha se po angazhohet me autoritetet sudaneze për ta zgjidhur çështjen.























