SHBA do të reduktojë trupat në krahun lindor të NATO-s, thotë Rumania
M.M./ RTKlive
Ministria e Mbrojtjes së Rumanisë ka thënë se SHBA synon të reduktojë disa prej trupave të saj të vendosur në krahun lindor të NATO-s. Bukureshti tha se midis 900 dhe 1,000 ushtarë amerikanë do të mbeten në Rumani, nga 1.700 që janë aktualisht.
Ministria tha se vendimi ishte i pritshëm dhe se “rishpërndarja” e forcave amerikane vjen si rezultat i prioriteteve të reja të administratës së presidentit Trump.
Ministri i Mbrojtjes të Rumanisë, Ionut Mosteanu, deklaroi se homologu i tij amerikan, Pete Hegseth, u kishte përcjellë së fundmi evropianëve se ata duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje mbrojtjes së tyre dhe se SHBA po zhvendos fokusin drejt rajonit Indo-Paqësor, raporton BBCNews.
Mosteanu tha se një brigadë amerikane në bazën ajrore Mihai Kogălniceanu, që pritet të bëhet më e madhja e NATO-s në Evropë, do të tërhiqet dhe nuk do të zëvendësohet. Ai shtoi se kjo brigadë ka “elemente” të vendosura në Bullgari, Rumani, Sllovaki dhe Hungari, duke lënë të paqartë nëse trupat amerikane do të tërhiqen edhe nga këto vende.
Ministri i Mbrojtjes së Polonisë, Władysław Kosiniak-Kamysz, tha të mërkurën se Varshava “nuk ka informacion” për ndonjë reduktim të trupave amerikane në territorin e saj.
BBC-ja i është drejtuar Pentagonit për koment.
Mosteanu shtoi se prania e trupave amerikane në bazat e Rumanisë, në Deveselu dhe Campia Turzii, do të mbetet e pandryshuar.
Që nga marrja e detyrës në janar, presidenti amerikan, Donald Trump, nuk e ka fshehur dëshirën e tij për të zhvendosur angazhimin ushtarak të SHBA-së nga Evropa drejt Indo-Paqësorit dhe ka kërkuar në mënyrë të përsëritur që anëtarët evropianë të NATO-s të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit.
Por njoftimi për tërheqjen e trupave nga Rumania do të shkaktojë shqetësim për vendet e Evropës Lindore, shumë prej të cilave mendojnë se kanë arsye të frikësohen nga një sulm i mundshëm rus në të ardhmen.
Menjëherë pas njoftimit nga Bukureshti, një zyrtar i NATO-s theksoi se angazhimi i SHBA-së ndaj aleancës mbetet “i qartë” dhe se rregullimet e pranisë ushtarake “nuk janë të pazakonshme”.
“Edhe me këtë ndryshim, prania ushtarake e SHBA-së në Evropë mbetet më e madhe se sa ka qenë për shumë vite, me shumë më tepër trupa amerikane në kontinent sesa para vitit 2022”, tha zyrtari në një deklaratë.
SHBA ka më shumë se 100.000 personel ushtarak të vendosur në Evropë, sipas të dhënave nga fundi i vitit të kaluar.
Muajin e kaluar NATO njoftoi krijimin e një misioni të quajtur “Eastern Sentry”, i cili, sipas aleancës, do të rrisë vigjilencën përgjatë gjithë krahut lindor.
Vendimi erdhi pasi një duzinë dronësh rusë hynë në hapësirën ajrore të Polonisë, incidenti më serioz i këtij lloji që nga fillimi i luftës në shkurt 2022. Disa ditë më vonë, Rumania raportoi se një dron rus kishte shkelur hapësirën e saj ajrore dhe Estonia tha se avionë luftarakë rusë kishin shkelur po ashtu hapësirën e saj ajrore.























