Uragani Melissa lë 34 të vdekur në Karaibe
BKT
Rajoni dhe Bota

Uragani Melissa lë 34 të vdekur në Karaibe

Bardhyl Bajrami / RTK

Shkalla e dëmeve të shkaktuara nga uragani Melissa, që kaloi përmes Xhamajkës dhe më pas goditi Haitin e Kubën, po bëhet më e qartë tani pas kalimit të tij. Deri tani janë raportuar 34 viktima.

Në Xhamajkë, komunikimet dhe energjia elektrike janë ndërprerë pothuajse në të gjithë pjesën jugperëndimore të vendit, ku janë regjistruar 8 të vdekur. Në Haiti, tashmë i goditur rëndë nga dhuna e bandave dhe kriza humanitare, uragani la pas 25 viktima, mes tyre 10 fëmijë.  Në Republikën Domenikane është raportuar një viktimë.

Forca e uraganit tashmë është zvogëluar, duke kaluar nga kategoria 5 në kategorinë 2 të stuhive tropikale. Të enjten, pritet të kalojë mbi Bahamet, përpara se të drejtohet drejt Bermudës.

Stuhia arriti një shpejtësi maksimale prej 298 km/h, më e fuqishme se uragani Katrina, që shkatërroi New Orleansin në vitin 2005 duke shkaktuar 1 392 viktima.

Sipas Qendrës Kombëtare për Uragane të SHBA-së, të enjten, shpejtësia e erërave të Melissës është regjistruar në 165 km/h, ndërsa është lëshuar paralajmërim për përmbytje në zonat bregdetare. Autoritetet lokale kanë urdhëruar evakuimin e rreth 1 500 personave në zonat më të rrezikuara.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota